Fier, arratiset me pranga në duar i arrestuari
Një 33-vjeçar, i cili është ndaluar si autor i një plagosjeje, ka mundur t‘i shpëtojë kordonit të policisë dhe agjentëve të shumtë policorë në vendin e ngjarjes, edhe pse mbante pranga në duar. Ai ka qenë duke u shoqëruar për në automjetin policor, kur u ka shpëtuar policëve duke ikur me vrap. Policia është vënë në ndjekje të të larguarit dhe për ndalimin e tij janë mobilizuar më shumë se 70 policë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Libofshë të Komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Fierit. Fatjon Filipi, 33 vjeç, është ndaluar nga policët e Komisariatit të Fierit, pasi dje në mesditë ka plagosur me thikë një bashkëfshatarin e tij. Mësohet se pas ngjarjes, 33-vjeçari nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, por në qetësi të plotë ka pritur policinë. Por, kur policët i kanë vënë prangat në duar dhe kanë dashur ta fusin në makinë, ai ka qëlluar me bërryla dy policët që e shoqëronin dhe ka ikur me vrap. Dëshmitarë okularë thanë se Fatjon Filipi kishte arritur të kalonte edhe disa policë të tjerë që tentuan ta ndalonin. Mësohet se më shumë se 20 policë të pranishëm në vendin e ngjarjes nuk kanë mundur ta ndalojnë dhe ta kapin Filipin edhe pse janë vënë në ndjekje të tij. Duke njohur mjaft mirë rrugicat e fshatit, 33-vjeçari ka mundur t‘i humbasë shpejt gjurmët. Policët që ishin në vendngjarje kanë njoftuar menjëherë Komisariatin e Fierit, prej nga janë nisur edhe 40 policë. Konfirmohet zyrtarisht se më shumë se 60 policë kanë ushtruar kontroll në të gjithë territorin përreth fshatit Libofshë. Fshati është izoluar nga postblloqe të shumta policore dhe nuk është lejuar që asnjë banor apo automjet të largohet prej tij. Në kontroll dhe vëzhgim policor janë mbajtur edhe banesat e të afërmve të personit që i shpëtoi policisë. Duke kërkuar të arratisurin policia ka mundur të gjejë një automjet me të cilin dyshohet se ai është larguar nga fshati. Vetura "Mercedez Benz" me targa të huaja, është pronë e një të afërmi të të arratisurit dhe është gjetur e braktisur në afërsi të një liqeni, dy kilometra larg nga fshati Libofshë. Pas më shumë se tri orësh kërkime, policia ka arritur të kapë 33-vjeçarin Fatjon Filipi, në një pyll, që ndodhet në kufirin mes rretheve Fier dhe Lushnjë. Ndërkohë, mësohet se ai është vëllai i një polici të Komisariatit të Fierit, çka ka bërë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të nisë hetimet për ndonjë lëshim të mundshëm nga ana e policëve që kanë shkuar për të ndaluar atë. Policia sqaroi dje se plagosja e kryer nga Fatjon Filipi ka ardhur pas një sherri për motive të dobëta.