E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku që mbledh bakshishet për t‘ua dhënë fëmijëve të varfër

Në hyrjen e urgjencës së spitalit të Kukësit dëgjohet ky dialog: - Zoti të dhashtë e t‘i ruajt fëmijët o doktor! - Mirë, mirë, bli ato që duhet dhe çdo gjë do të rregullohet...

Është një burrë 55 vjeç nga fshati Fshat me një shëndet të rrënuar, i cili uron mjekun pediatër Misin Braha. Burri është me fëmijën e vogël të vajzës së vet, për të cilën më vonë mësojmë se i ka vdekur burri dhe jetonte tek i ati. Uratat nuk janë për mjekimin, siç do të mendonte kushdo, por për disa lekë që i ka dhënë doktori. Në tërësi ne kur sëmuremi nxisim mjekët të pranojnë ryshfet dhe nëse ata nuk i pranojnë ua lemë në regjistër apo ua fusim si me pahir në xhepin e bluzës, më pas largohemi të bindur se kemi bërë "detyrën" edhe nëse mjekimi ndoshta nuk ka qenë i shkallës së kërkuar. Dhe mjekët sigurisht që më pas rrisin pazarin, sepse leku është mashtrues për shumëkënd. Por Misin Braha duket se bën përjashtim. Para se ta takojmë mjekun Braha, mësojmë diçka më shumë prej vetë prindit nga fshati Fshat, si dhe nga kolegët e tij.

Prindi pohon se mjeku, duke kuptuar gjendjen e fëmijës dhe të nënës nga mosushqyerja, e ka shtruar një javë në spital dhe tani që po e nxjerr i jep me vete një recetë për disa ilaçe vitaminoze, si dhe lekët për t‘i blerë ilaçet në farmaci. "Me të thënë të drejtën jemi në pikë të hallit", thotë fshatari, duke sqaruar se e bija ka mbetur pa burrë si pasojë e një aksidenti rrugor dhe bashkë me tre fëmijë janë strehuar tek ai, pra te gjyshi. Ky është me një gjendje tepër të vështirë ekonomike dhe vuan nga një sëmundje profesionale si ish-minator. "U ngushtova në shpirt se nuk pata asnjë lek me ia dhanë, futa dorën në xhep duke menduar se në fund të fundit edhe lekët e biletës ia vlente t‘ia jepja. Por doktor Misini më bërtiti e nuk la gjë pa më thënë dhe llogariti ilaçet e recetës dhe më dha lekët që t‘i blej ato...", tregon fshatari me emocione.

Në dhomën e vizitave, në raftin e mjeteve, doktor Braha ka një kënd ku lë lekët që i "falin" pacientët. I lë aty dhe kur paraqitet rasti i përdor për pacientë të vet. Edhe vetë mjeku Braha e pranon se një pjesë e pacientëve lënë lekë gjithsesi, por ai nëse nuk arrin t‘ua kthejë mbrapsht, i lë mënjanë "për çdo vaki, në fund të fundit nuk bëj keq t‘i trajtoj si kredite të vetë pacientëve", thotë me një zë që është vështirë ta ndash mes tragjikes dhe humorit. "Gati të gjithë pacientët që vijnë nga zonat rurale janë tepër të varfër, të ushqyer keq dhe të rrënuar. A mund t‘u mbahet leku atyre?! Unë nuk mund t‘i përdor ato lekë për familjen time, sepse jam i bindur që nuk ua shoh hairin. Njerëzit lënë ndonjë lek, edhe pse i kundërshtoj dhe ndonjëherë u bërtas me të egër. Ata i lenë lekët dhe ikin", thotë mjeku Braha, duke treguar një kënd në raft, ku ka edhe monedha metalike. Ai tregon se familjet fshatare, por jo vetëm ato, po rrënohen gjithnjë e më shumë. Kur një fëmijë i caktuar apo edhe i rritur shkon në gjendje të fikëti për mungesë ushqimi vjen dhe kërkon derman te ne, thotë mjeku Braha. "Kohët e fundit kemi pasur 20 raste kur fëmijët e vegjël dhe nëna me fëmijë i kemi shtruar në spital për t‘i shpëtuar nga uria. E kemi diskutuar edhe me drejtuesit e spitalit dhe për raste ekstreme kemi gjetur mirëkuptim", tregon mjeku pediatër, i cili në kategorinë e rrezikuar nuk harron të përmendë edhe një numër fëmijësh të braktisur, dy prej të cilëve ndodhen prej dy vitesh në pavijonin e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›