Peshkopi, shtyhet përsëri seanca gjyqësore e "monstrës"
Seanca e tretë gjyqësore, në ngarkim të Shpëtim Zizës, të sëmurit mendor që u quajt "monstra" e Peshkopisë, pas vrasjes dhe përdhunimit të një fëmije 10 vjeç nëntorin e vitit të kaluar, është shtyrë sërish. Dje kjo seancë gjyqësore është mbyllur në pak minuta dhe shkak për këtë është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të të pandehurit Ziza, Qazim Gjoni. Është rasti i dytë që seanca gjyqësore në ngarkim të "monstrës" së Peshkopisë, Shpëtim Ziza, shtyhet për mungesë të avokatit mbrojtës. Trupi gjykues, pasi ka konfirmuar mungesën e tij, dhe pjesëmarrjen e dëshmitarëve, ka njoftuar për mediat shtyrjen e seancës gjyqësore dhe zhvillimin e seancës tjetër të radhës më 12 maj 2008. Trupi gjykues, që në seancën e dytë të këtij gjyqi ka vendosur që ai të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi faktet që do të shqyrtohen në këtë proces gjyqësor cenojnë moralin shoqëror, si dhe faktin se vetë i pandehuri Ziza është i sëmurë mendor, kërkesë kjo e bazuar në nenin 340 të Kodit të Procedurës Penale. Shpëtim Ziza akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, parashikuar nga neni 100/2, të Kodit Penal dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, neni 278/2. Ai akuzohet se në fillimin e nëntorit të vitit të kaluar, përdhunoi dhe më pas vrau fëmijën 10 vjeç, Bekim Çenga. Krimi i rëndë që shokoi qytetin e Peshkopisë dhe mbarë opinionin në vend, pas arrestimit u pranua edhe nga vetë i pandehuri. Por në vazhdimësi, për shkak edhe të sëmundjes mendore nga e cila vuan, Ziza asnjëherë nuk ka dhënë motive të qarta për këtë vrasje, gjë që pritet të sqarohet nga gjykata.