E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e fëmijës Orgest Dardha, shtyhet procesi ndaj mjekëve

Seanca e tretë e procesit në ngarkim të mjekut Ramazan Isufi dhe anestezistit-reanimator, Bensar Shuteriqi, është shtyrë dje në Gjykatën e Tiranës, me kërkesë të njërit prej të pandehurve. Ata akuzohen për "Mjekim të pakujdesshëm", vepër e parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal. Procesi ka nisur më 23 prill të këtij viti dhe është ende në fazat fillestare të tij. Të dy mjekët janë akuzuar për mjekim të pakujdesshëm të fëmijës Orgest Dardha, i cili ndërroi jetë më 9 tetor 2006 në pavijonin e kirurgjisë maxillo-faciale në QSUT. Sipas ekspertizës mjekoligjore që u krye në atë kohë, fëmija 16 muajsh nga Dibra, "do të ishte akoma gjallë, nëse mjekët do ta kishin vlerësuar realisht gjendjen shëndetësore të tij". Në të njëjtën ekspertizë thuhet se janë vënë re një sërë mangësish, të cilat përbëjnë elementë të mjekimit të pakujdesshëm të formës së neglizhencës, që kanë ndikuar në ardhjen e vdekjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›