Shkatërron lokalin, arrestohet
Një hakmarrje banale ka rënë mbi një lokal në zonën e Shkozetit, ndërsa i dyshuari si autor është vendosur në pranga nga policia. Astrit Çemenja, 24 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Shkozet të Durrësit, është arrestuar në flagrancë. Mbrëmjen e vonë të së hënës, ai së bashku me të vëllanë, babanë dhe një shok të tij, kanë shkuar në lokalin e një shtetasi në lagjen 14 dhe me mjete të forta e kanë prishur atë. Kanë thyer xhamat e lokalit, banakun dhe të gjitha pijet që ndodheshin në të. Gjithçka është bërë për hakmarrje pas një sherri mes të arrestuarit dhe pronarit të lokalit A.P. Pas arrestimit të 24-vjeçarit, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj babait të tij, Hasan Çemenja, 59 vjeç, dhe Hasan Bodinit, 39 vjeç, të dy nga Dibra dhe banues në Durrës. Ndërkaq, vëllai i të dyshuarit kryesor si autor, Arben Çemenja është larguar pas ngjarjes.