E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgjet, apel Prokurorisë: Po shkelni të drejtat e të dënuarve

Për herë të parë, burgjet i drejtohen me një apel publik Prokurorisë së Përgjithshme, duke i kërkuar që prokurorët të zgjohen nga gjumi, me qëllim që të mos shkelen të drejtat e të dënuarve apo të paraburgosurve. Ky apel është drejtuar gjatë një takimi që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi me përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit, ku janë diskutuar një sërë problematikash të ngritura herë pas here nga mediat, por edhe institucione të ndryshme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në takim u diskutua mbi problematikat e konstatuara në sistemin e burgjeve, ku një ndër më kryesoret dhe më vitalet në lidhje me zbatimin e ligjit dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve, është shkelja e afateve ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe mosnjohja e ditëve të punës së dënuarve për efekt uljen e dënimit. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, sipas burimeve zyrtare nga burgjet, nëpërmjet shkresave të ndryshme është vënë shpesh herë në dijeni Prokuroria e Përgjithshme për zgjidhjen e menjëhershme të këtyre problemeve, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim. Për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve së bashku me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke kërkuar edhe ndihmën e mediave, në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kërkon të sjellë në vëmendjen e Prokurorisë së Përgjithshme problemet e ndryshme në marrëdhënie me organet e prokurorisë në rrethe, të cilat konstatohen vazhdimisht. Shqetësim i vazhdueshëm i konstatuar nga DPB dhe Avokati i Popullit për Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgjet) ka qenë ardhja me vonesë e urdhrave të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës pranë këtyre institucioneve, në kundërshtim me parashikimet e Kreut VI “Afatet e Ekzekutimit të Vendimeve”, të ligjit nr. 8331, datë 21.04.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Ardhja me vonesë e këtyre urdhrave ka bërë që shumë të dënuar të mbahen dhe të vuajnë dënimin në mënyrë të padrejtë në ambientet e paraburgimit. Më shqetësues ky fenomen është për seksionet dhe institucionet e paraburgimit. Problem tjetër shqetësues në disa institucione ka qenë mosnxjerrja e urdhrave të ekzekutimit për shkurtimet e vendimit të gjykatës, në rastet e lirimeve të menjëhershme. Një gjë e tillë ka sjellë vështirësi për administratën e burgjeve, sidomos në ato raste kur në dosjen e të dënuarit nuk ka qenë i administruar vendimi i gjykatës, për shkak të mosmarrjes formë të prerë të vendimi të gjykatës për dënimin e shtetasit. Me shkresat tona me nr. 2257, datë 18.03.2008 dhe nr. 2257/1, datë 27.06.2008 në lidhje me punësimin e të dënuarve në I.E.V. Penale Burrel, kemi vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme për shqetësimet e ngritura nga të dënuarit e këtij institucioni për mosnjohjen e ditëve të punës për efekt të uljes së dënimit me burgim, për shkak të urdhrit me nr. 3233, datë 08.10.2004 të Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas tij, janë urdhëruar prokurorët e ekzekutimit të vendimeve penale në rrethet në të cilat ndodhen I.E.V. Penale, që të bëjnë korrigjimin e evidencave të administratës së burgjeve lidhur me uljen e dënimit, me arsyetimin se puna e të dënuarve në institucione nuk është shkak ligjor për uljen e kohës së dënimit me burgim. Ky urdhër është nxjerrë në një kohë që nuk ka pasur ndonjë akt tjetër ligjor ose nënligjor që të rregullojë marrëdhëniet e punësimit të burgosurve në I.E.V. Penale, përveç Dekretit të Presidentit me nr. 7298, datë 08.04.1989 “Për zbritjen e dënimit të personave të dënuar me heqje lirie që aktivizohen në punë, kur plotësojnë e tejkalojnë normën”. Nëpërmjet këtyre shkresave, duke pasur në konsideratë dhe qëndrimin e Avokatit të Popullit, kemi kërkuar shfuqizimin e urdhrit nr. 3233, datë 08.10.2004 të Prokurorit të Përgjithshëm. Zgjidhja e shqetësimeve që u ngritën më lart është e nevojshme për mbarëvajtjen e punës në sistemin e burgjeve dhe ndikon pozitivisht, për të arritur një ndër objektivat kryesore të DPB-së, i cili është trajtimi sa më njerëzor i personave me liri të kufizuar, duke u bazuar në të drejtat që burojnë nga ligji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›