Operacioni; Bllokohet 2 kv flori e 210 mijë euro, arrestohen dy vëllezër për kontrabandë
Bllokohet në kryeqytet 2 kuintal flori, që dyshohet të ketë hyrë kontrabandë në vendin tonë. Gjatë superaksionit të koduar “Ora e florinjtë”, në pranga kanë përfunduar dy persona që dyshohet se kanë vjedhur shufra floriri nga Thesari i Shtetit. Gjithashtu janë sekuestruar edhe shuma të mëdha në lekësh. Dy shtetasit, pronarë të punishtes ku përpunohej metalin i shtrenjtë, tashmë në pranga, janë vëllezërit Astrit Lamçe, 45 vjeç dhe Genci Lamçe, 38 vjeç. Gjatë operacionit janë sekuestruar përveç floririt edhe një sasi e konsiderueshme parash, ndërkohë që për dy vëllezërit rëndon akuza e kontrabandës dhe trafikut të floririt. Sipas burimeve zyrtare policore, dy vëllezërit Lamçe janë arrestuar në flagrancë në banesën e tyre, të ndodhur në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë, pranë Gardës së Republikës, me një sasi e konsiderueshme floriri dhe parash. “Në sajë të një hetimi intensiv 3-mujor, me metodat speciale të hetimit, duke bashkëpunuar me Task-Forcën, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 2 kv flori, 2 copë shufra floriri me peshë 1 kg secila, shuma e parave prej 210 mijë eurosh, 1 milion e 500.000 lekë, shuma e parave prej 500 $, si dhe shumë ambalazhe dhe etiketa të firmave të njohura. Gjithashtu, sipas burimeve, u arrit të dokumentohet tërësisht, se aktiviteti i tyre kriminal e kontrabandë, shtrihej në kryeqytetet, përmes banesës së tyre, e cila shërbente për punishte të kontrabandës së floririt. Shufrat e florinjta (2 copë) të sekuestruara, dyshohet se mund t;i jenë vjedhur thesarit të shtetit, përgjatë vitit 1997. Ndërkohë, duke e përllogaritur sasinë e floririt të sekuestruar, me vlerën e tregun të sotëm, varion në shumën e parave në mbi 1 milion euro. Materialet e përpiluara për arrestimin e personave do t’i kalojnë për kompetencë Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. “Vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë. Për këtë çështje, nga ana e Prokurorisë dhe drejtuesve të policisë po realizohet dhe po zhvillohet një punë e kualifikuar profesionale, në drejtim të saktësimit të origjinës së sasisë së floririt, si dhe goditjes në kohë të aktiviteteve të paligjshme kriminale”, - përfundojnë burimet zyrtare policore kryeqytetase.