E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, miliona euro paguhen për çmimet abuzuese

Karburantet në Shqipëri tregtohet me çmime disa herë më të larta sesa duhej të ishin nëse do të reflektohej çmimi i blerjes. Kjo tashmë është e qartë për gjithë qytetarët dhe çdo konsumator. Por sa janë kostot reale të këtij abuzimi me çmimet e karburanteve? Kjo pyetje ka marrë përgjigje nga studimi që ka bërë Konfidustria.

Për të ndërgjegjësuar institucionet shtetërore dhe gjithë opinionin publik për domosdoshmërinë e ndërhyrjes urgjente për rregullimin e tregut të karburanteve, Konfindustria paraqet përfundimet kryesore të vlerësimit të përgjithshëm për kostot shtesë të tregtimit të karburanteve në Shqipëri, bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj në muajt shtator-dhjetor 2008. Sipas këtij vëzhgimi, kostot e plota nga abuzimi me cilësinë dhe abuzimi me vëllimin/matjen arrin të paktën në 120 milionë euro/vit. Vlera e mësipërme shkon në përfitim të operatorëve të tregut. Vlerësojmë se kostot e mësipërme janë shprehur në minimumin e tyre. Janë afërsisht 30 milionë euro të paguara nga konsumatorët për operatorët e karburanteve dhe të ardhura fiskale shtesë buxhetore në periudhën shtator–dhjetor 2008, si pasojë e mungesës së elasticitetit të çmimeve të tregut të karburantit në Shqipëri. Kostoja e përgjithshme e vlerësuar vetëm në 3 kostot e përgjithshme përkatëse është mbi 150 milionë euro në vit. Konfidustria thekson se kostot e plota të tregut abuzues të karburanteve arrijnë në qindra milionë euro në vit.

Tetë kostot shtesë, sipas peshës, në abuzimin e përgjithshëm me karburantet

Së pari, kostoja shtesë nga cilësia jashtë standardit e karburanteve/vlera minimale e abuzimit 20%. Është kostoja kryesore abuzive, që qytetarët dhe biznesi e paguajnë sistematikisht në çdo kohë pavarësisht çmimit. Çmimet e larta mbahen pikërisht për të shtuar në maksimum hapësirat e nevojshme në vlerë financiare për abuzimin me cilësinë e karburantit. Cilësia e dobët sigurohet nga përzierjet e karburanteve me nënprodhime të naftës jo të destinuara për karburant dhe tepër të dëmshme për mjedisin për naftën D2, shitjen e naftës D2 për D1 etj., përzierjen e benzinës me të ashtuquajturën “virgine” - benzinë e lehtë etj. Përzierje të palejueshme, që shtojnë volumin abuzivisht dhe ul ndjeshëm numrin e kilometrave të përshkuara nga mjetet, etj., mënyra të dënueshme dhe të palejueshme. Përgjegjësi kryesor institucional është Inspektorati Qendror Teknik.

Së dyti, kostoja minimale shtesë nga lëvizjet e çmimit në periudhën 3-mujore shtator-nëntor 2008/vlera e mospasqyruar 13%. Vërehet në rastet e uljes së ndjeshme të çmimit të karburantit në tregjet ndërkombëtare siç është periudha në fjalë. Bazuar në vlerësimin analitik të periudhës shtator – nëntor 2008, duke pasur parasysh: -vlerësimin lekë/USD amerikan dhe raportin e çmimit të karburantit në bursë/tregun shqiptar kundrejt fitimit të deklaruar mesatar të sektorit të tregtimit të karburanteve, del se ishte më e lartë në muajin shtator dhe tetor dhe zbriti në muajin nëntor pas mediatizimit të problemit. Tregu i karburanteve tregoi se nuk funksionoi siç duhet, duke dhënë shenja të qarta të mungesës së konkurrencës së nevojshme. Për këtë arsye, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të karburanteve, Konfindustria i kërkoi zyrtarisht Kryeministrit z. Sali Berisha krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si mjeti i vetëm publik efikas, që mund të ndërhyjë për shmangien e çrregullimeve të çmimeve në treg në kushtet e mungesës së operatorëve publikë pas privatizimit të "Armo"-s.

Së treti, kostoja minimale nga abuzimet në matje të vëllimeve të shitura (5%) në makineritë e pikave të pakicës së rrjetit të distributoreve. Vlerësojmë se në masën 70% tashmë rrjeti i distributoreve me pakicë kontrollohet direkt dhe indirekt nga tregtaret e shumicës. Është kosto abuzive, që në mënyrë sistematike godet biznesin dhe qytetarët shqiptarë, pavarësisht luhatjeve të çmimit botëror të karburanteve. Përgjegjësi kryesor institucional është Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit.

Së katërti, kosto minimale shtesë e makinave/makinerive të dëmtuara nga cilësia e dobët e karburantit. Vlera e pallogaritur. Është kosto mjaft e lartë që ndryshon bazuar në sektorët të ndryshëm të ekonomisë. Kërkohet një studim gjithëpërfshirës për të zbuluar dëmin përkatës, që dëmton industrinë dhe qytetarët shqiptarë.

Së pesti, kostoja minimale shtesë e uljes së efektivitetit tërësor ekonomik dhe forcës konkurruese të prodhimeve dhe shërbimeve vendore, për shkak të kostos shtesë së karburanteve. Vlera e pallogaritur. Për shkak se karburanti është pjesë përbërëse e kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve rritja relative e tij - ul në përgjithësi konkurrencën e prodhimit industrial e bujqësor të vendit -rrit rrezikun e falimentimit në kushtet e tregjeve të hapura, me pasoja tepër të dëmshme në efektivitetin e ekonomisë në përgjithësi, punësim, mirëqenie etj. Rreziku është edhe më i madh në kushtet e krizës globale financiare dhe ekonomike. Këtu shtohen edhe kostot e investimeve në mbi 2100 pika të tregtimit me pakicë të karburanteve, shumica prej të cilave mbijetojnë vetëm me mënyrat abuzive me standardet e cilësisë, abuzimin me matjet, sepse nuk arsyetohen ekonomikisht.

Së gjashti, kosto buxhetore për institucionet e fushës, që nuk kryejnë detyrën publike (shpenzimet buxhetore për 2 institucionet: Inspektorati Qendror Teknik, Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit). Janë kosto shtesë të panevojshme për shkak se nuk kryejnë misionin publik, për të cilin janë formuar dhe paguhen nga taksapaguesit e vendit.

Së shtati, kosto shëndetësore (vlera e pallogaritur). Cilësia e keqe e karburantit shfaqet në hedhjen në atmosferë të elementeve kimikë mjaft të rrezikshëm për shëndetin si squfur, Co2 etj., dhe është shkaku kryesor në keqësimin e shëndetit të qytetarëve, që shoqërohet me rritjen e shpenzimeve publike dhe individuale të qytetarëve shqiptarë për shërim. Duhet studim tërësor për t’u përllogaritur, por mendohet që vlera financiare e dëmit të jetë mjaft e lartë.

Së teti, kosto mjedisore (vlera e pallogaritur). Cilësia e keqe e karburantit shoqëruar me amortizimin e shpejtë të makinave dhe makinerive ka ndikim thelbësor në mjedis, rehabilitimi i të cilave kërkon fonde të mëdha publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›