E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgjet, ministri Halimi: Forcim sigurisë së sistemit

TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë analizës 4 mujore të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kërkoi forcimin e sigurisë së sistemit.

Në këtë analizë u trajtua gjerësisht problematika që ka shoqëruar punën në të gjitha Institucionet e Vuajtjes së Dënimeve Penale, ndërsa u morën në diskutim dhe u analizuan gjerësisht përfundimet e raporti të Avokatit të Popullit në lidhje me trajtimin e të dënuarve në Institucionet e Vuajtjes së Dënimit, raportet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, etj.

"Raportet evidentojnë se kemi evolim pozitiv në nivelin e menaxhimit në burgje. Kemi absolutisht një rritje te performancës në trajtimin e të dënuarve. Mënyra se si shteti dhe ju trajtoni të dënuarin tregon vetë dinjitetin e një shteti. Ka pasur arritje të rëndësishme ne përmirësimin e sigurisë, duke evidentuar zero tentativa për arratisje gjate këtyre muajve. Po ka edhe probleme për të cilat pritet marrja e masave të menjëhershme", tha ministri Halimi në fjalën e tij në lidhje me problemet e abuzimit që kanë shoqëruar çështje të tilla si hyrja e sendeve të paligjshme në burgje si dhe abuzimi me lejet shpërblyese.

"Korrupsioni është një sëmundje që duhet ta luftojmë çdo ditë. Kërkoj prej jush tolerancë zero ndaj çdo rasti abuziv. Monitorimi dhe kontrolli i sistemit të burgjeve është prioritet i Ministrisë së Drejtësisë ndaj kërkoj marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar në të ardhmen dukuri të tilla", tha Halimi.

Ministria e Drejtësisë aktualisht monitoron on line me kamera sistemin e Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit në Tiranë, ndërkohë që pritet që ky sistem të shtrihet edhe në të gjithë IEVP.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Eduard Halimi, deklaroi se në shtator do të nisë reforma në sistemin e menaxhimit të burimeve financiare në burgje, e cila synon rritjen e cilësisë së shërbimit dhe uljen e kostove për mbarëvajtjen e një të dënuari.
Ministri Halimi deklaroi se do të vijojë vizitat e nisura në Institucionet e Vuajtjes së Dënimeve Penale në të gjithë vendin , së bashku me Avokatin e Popullit, me qëllimi evidentimin e ndryshimit që po ndodh në burgje në lidhje me përmirësimin e cilësisë së jetës së të dënuarve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›