E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgoseni djalin tim, më dhunon çdo natë

07/12/2008  Babai 82-vjeçar, i përlotur në policinë fierake, tregon se si i vdiq nga shqelmat e shoqja

FIER - Një rast flagrant mbërrin në policinë fierake dhe pikërisht tek oficeri i rojës pranë drejtorisë së policisë së Qarkut të Fierit. Një burrë 82-vjeçar, trupimët dhe me lot në sy, i lutet oficerit të rojës ta ndihmojë nëpërmjet kolegëve të tij që të bëjnë diçka kundër dhunës që ushtron mbi të i biri. Koli Rrapaj, 82 vjeç, banues në lagjen periferike “Mbrostar Ferko” të qytetit të Fierit, rreth orës 11:00 të paradites së djeshme bën apel për ndihmë: “Burgoseni, madje edhe kërcënojeni, rriheni dhe bëjeni të vërë mend, pasi djali im ushtron dhunë mbi mua.” Këto janë fjalët e para që ai pohon, ndërkohë që oficeri i rojës kërkon ndihmë nëpërmjet linjës telefonike me të plotfuqishmin e zonës ku ai banon. I pashpresë për ndihmë ndaj uniformave blu (pasi i moshuari na thotë më pas se ai ka kërkuar shpesh ndihmë, por askush nuk e vë ujin në zjarr), i moshuari Rrapaj pohon se djali i tij Aleko Rrapaj vuan nga depresioni psikik, madje është kuruar edhe në spitalin psikiatrik të Vlorës. 82-vjeçari pohon se i biri ka qenë në emigracion në Amerikë, Greqi, Itali, Maqedoni dhe Zvicër dhe para se të shkonte në emigracion ka qenë shumë i rregullt. “Është 38 vjeç dhe ka vetëm 2 vjet që është kthyer nga emigracioni. Dyshoj se është marrë me trafik droge dhe madje është përdoruesi i saj, pasi këta 2 vjet është bërë i padurueshëm. Më rreh gati çdo natë, bëhet si i marrë për gjërat më të vogla. Edhe pse kam 7 fëmijë, 4 djem dhe 3 vajza, të gjithë janë të martuar dhe të ndarë prej meje. Kështu që jetoj vetëm me djalin 38-vjecar, Alekon. Edhe ime shoqe ka vdekur nga dhuna e ushtruar prej tij. Ajo lëngonte në shtrat e shkreta prej sëmundjes së veshkave dhe para 8 muajsh djali u zu me një djalë tjetër të lagjes. Gati sa nuk e mbyti. Unë shkova t’ia hiqja nga duart, por ai më kafshoi fort në hundë. U ngrit nga shtrati edhe gruaja e mjerë, Jorga Rrapaj, por ai i dha një shkelm në trup nga inati pse ia hoqëm nga duart djalin që zihej me të. Pasi u shkelmua disa herë, gruaja ra përtokë gati e vdekur. Jetoi vetëm 2 ditë dhe më pas dhe vdiq.” Kjo është vetëm një pjesë dhunës në familje, pasi 82-vjeçari, i cili kërkon ndihmë ndaj kujtdo që i duket me pushtet, pohon se ka frikë të shkojë në shtëpi, se mos e vret djali dhunues. Rrapaj apelon për ndihmë, madje kërkon prej bluve fierakë që të arrestojnë djalin dhunues, por i duhet që të kthehet sërish në shtëpi, ku e pret dhuna, ndërsa më pas uniformat blu do të shtojnë vetëm një shifër në statistikat e viktimave të krimit brenda familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›