E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkotojnë punën 1 mijë punonjësit e KTPTHN-së

06/12/2008  Arsyet, transparenca e privatizimit dhe pagat shtesë të fundvitit. “Po vidhet prona shtetërore”

BALLSH- Më shumë se 1000 punonjës të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh kanë bojkotuar ditën e djeshme të punës në shenjë proteste ndaj procesit të privatizimit dhe pezullimit të 2 rrogave të tyre shpërblim për në fundvit.

Protesta

"Jemi të shqetësuar jo për privatizimin, por për formën se si u bë ky privatizim. Ne nuk kemi asnjë informacion si u ble, sa u ble dhe në ç’formë u ble kjo kompani". Punonjësit e kanë cilësuar si mungesë të transparencës të gjithë procesin, ndërkohë që punonjësit nuk kanë harruar të hedhin akuza se vetëm gjatë 5 ditëve të fundit që është emëruar drejtori i ri i kësaj uzine, kanë vijuar vjedhjet masive të karburanteve deri në sasinë e mijëra tonëve. "Kanë tentuar të marrin karburant nëpërmjet disa faturave pa pagesë dhe disa letrave false. Janë grumbulluar mijëra ton karburant, të cilat po shiten pa faturë tatimore. Përse duhet të vidhet në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë nafta e shtetit që nxirret me djersën tonë. Kemi vite që punojmë në këtë ndërmarrje e nuk do të lejojmë askënd që të grabisë këtë pasuri kombëtare. Kjo kompani ka filluar t’ju bëjë presion punonjësve të saj", thonë punonjësit e KPTHN-së. Në një letër Kryeministrit shqiptar janë tetë pika që parashtrohen. Në njërën prej tyre protestuesit i bëjnë të ditur Kryeministrit se pikërisht në KPTHN Ballsh janë 60 milionë euro mall, e cila është një pasuri e popullit shqiptar, që po vidhet nga kompania që e ka privatizuar shoqërinë ARMO. Këtë fakt ata e motivojnë me bllokimin që i është bërë trenit me 6 cisterna nga policia e objekteve, duke tentuar të dalë nga uzina pa faturë dhe të destinuar për në Durrës ku do t’u shpërndahej institucioneve shtetërore. Sipas protestuesve, si sistemi i pagave edhe shkelja e kontratës janë një tjetër hallkë e shkelur nga pronarët e rinj. "Ne kemi pasur një kontratë të nënshkruar me ARMO-n, ku gjatë gjithë kohës ka qenë praktikë marrja e dy rrogave shtesë. Ata kanë këmbëngulur se protestat nuk do të reshtin dhe se bojkoti i djeshëm do të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›