E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të paaftët, shteti heq dorë nga kujdesi

07/12/2008  Fëmijët me aftësi të kufizuara, nëse nuk përmirësohen për 10 vjet në qendrat e zhvillimit

Kontratë me prindërit (e fëmijëve me aftësi të kufizuar) për përfshirjen në pagesat e shërbimeve

Trajtimi i vazhdueshëm i fëmijëve me probleme pranë qendrave të zhvillimit dhe rehabilitimit të aftësisë së kufizuar në shumë raste nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Kjo pavarësisht se vëzhgimi i tyre dhe përkujdesi është ofruar nga punonjës të specializuar për një periudhë 5 deri 10-vjeçare. Përkundrejt këtyre rasteve që paraqesin probleme, specialistët e Shërbimit Social Shtetëror pohojnë se do të procedohet me kthimin e tyre në familjet biologjike, të cilat do të vijojnë trajtimin e mëpasshëm të tyre. Shkak për këtë bëhet mospërmirësimi i aftësive të tyre, ndonëse ofrohet kujdes i specializuar. Ndërkohë që mundësitë për mbajtjen e tyre janë të pakta për shkak se kapacitetet pritëse janë të kufizuara. Ndërsa numri i fëmijëve të tjerë që kanë nevojë për këto lloj shërbimesh është shumë i lartë. Për këtë qëllim do të bëhet rikthimi i tyre në familje për t’ua lënë vendin moshave më të vogla që mund të reflektojnë ndryshime në përmirësimin dhe integrimin e tyre. "Ky është përcaktuar si problem që kërkon zgjidhje imediate, pasi në Qendrat e Zhvillimit për PAK gjenden fëmijë që kanë të paktën 5-10 vjet në këto institucione, ndërkohë që nuk kanë marrë zhvillimin e pritshëm", pohohet nga SHSSH.

Kontratat me prindërit

Sipas Naços, duke qenë se këta fëmijë paraqesin zhvillimet e pritshme për një kohë kaq të gjatë, do të bëhet dërgimi i tyre në ambientet e familjeve të tyre. Ndërsa në qendra do të bëhet strehimi dhe trajtimi i rasteve të ngjashme, por që janë në mosha të vogla dhe mund të përmirësohen në saje të asistencës së vazhdueshme që do të jepet nga punonjësit e specializuar. Aktualisht po përcaktohen dhe detajet përkatëse në lidhje me kalimin e tyre në kujdesin familjar, ku do të ofrohet edhe aty asistencë e specializuar. Për të zbatuar një proces të tillë, po procedohet me përpilimin e një kontrate me prindërit (e fëmijëve me aftësi të kufizuar) dhe përfshirjen e tyre në pagesat për shërbimet që u ofrohen fëmijëve. Këto familje do të marrin një pagesë të posaçme për trajtimin e mëtejshëm të fëmijëve në familje, pagesë e cila do të jetë rreth 70 për qind e kostos së shërbimeve që u jepeshin këtyre fëmijëve kur trajtoheshin pranë qendrave përkatëse. Ndërkohë që do të vijohet dhe më ciklet e trajnimit dhe rritjes së kulturës profesionale të tyre në mënyrë të tillë që pas marrjes së fëmijëve në shtëpi të ofrojë kujdesin e duhur njësoj si në qendra. Aktualisht në të gjithë vendin janë rreth 8 qendra të zhvillimit për PAK që ofrojnë trajtimin dhe edukimin e fëmijëve me probleme. Për vitin e ardhshëm është pohuar se do të merren një sërë masash jo vetëm në zgjerimin e kapaciteteve pritëse, por edhe në përmirësimin e shërbimeve të ofruara kundrejt tyre.

Largimet

Pranë secilës qendër do të mundësohet evidentimi i të gjitha rasteve, kur fëmijët që kanë qëndruar për një kohë të gjatë, por nuk kanë marrë zhvillimin e pritshëm për t’i kthyer ata në familjet e tyre. Deri tani është bërë i mundur kthimi në familjet biologjike i 15 fëmijëve me aftësi të kufizuara, çka do të mundësojë rritjen e hapësirave dhe lirimin e vendeve për ata fëmijë që manifestojnë të njëjtat probleme, por ndodhen në moshë më të vogël. Kjo shtresë paraqet më shumë mundësi që të reagojë pozitivisht ndaj kujdesit të ofruar sesa pjesa tjetër që e ka marrë shërbimin për shumë kohë, por s’ka përmirësime të dukshme. Përkundrejt këtyre masave po veprohet me ngritjen e qendrave që do të ofrojnë shërbim ditor për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin, veçanërisht në qytetet e mëdha: Durrës, Tiranë, Korçë dhe Shkodër.

Fëmijët që janë trajtuar në qendrat e zhvillimit të aftësisë së kufizuar për më shumë se 5 deri në 10 vjet do të rikthehen në familjet e tyre për trajtim të mëtejshëm, kjo pasi nuk kanë paraqitur përmirësimin e pritshëm. Në vend të tyre do të trajtohen fëmijë të tjerë që vuajnë prej këtyre problemeve.

Aktualisht po përpilohen kontratat me prindërit e këtyre fëmijëve, të cilëve do t’u ofrohen pagesa përkatëse për shërbimet që do të japin për fëmijët. Pagesa që do të japë shteti në këtë rast do të jetë rreth 70 për qind e kostos së shërbimeve që ofroheshin kur fëmijët trajtoheshin në qendër.

Sipas të dhënave të publikuara, deri tani është bërë i mundur kthimi në familjet biologjike i 15 fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kjo do të mundësojë rritjen e hapësirave dhe lirimin e vendeve për fëmijët e tjerë që vuajnë të njëjta probleme, që janë në moshë më të vogël dhe mund të përmirësohen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›