Burgosja e gazetarit në Serbi, OSBE: E papranueshme

Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviç sot i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliç, që të amnistojë gazetarin Lasllo Sas, pas burgosjes së tij për fyerje.
“Është e papranueshme që Lasllo Sas ishte burgosur për gjysmë viti për publikimin e komentit kritik në gazetë”, tha Dunja Mijatoviç.
Më 24 prill të vitit 2007, gazetari Sas e kishte publikuar një koment të lexuesve në të përditshmen në gjuhën hungareze, Magjar So, ku kritikohej Lasllo Toroskai, lider i një lëvizjeje ultranacionaliste në Hungari, qëllim i së cilës është rishqyrtimi i kufijve të marrëveshjes së vitit 1920, me të cilën janë përcaktuar kufijtë aktualë të Hungarisë.
Një gjykatë në Suboticë e shpalli fjator gazetarin Lasllo Sas për shpifje dhe e dënoi me 1300 euro. Ky vendim u konfirmuar nga një gjykatë e apelit në Novi Sad.
Meqë gazetari Sas nuk e paguajti dënimin, ai më 20 korrik 2012, u dërgua për vuajtjen e dënimit prej 150 ditësh.
“Ky rast tregon efektin brengosës të dispozitave kriminale të shpifjes dhe kërkoj nga autoritetet që plotësisht ta dekriminalizojnë ofendimin me fjalë”, tha Dunja Mijatoviç.
Ajo u është bashkuar thirrjeve të mbrojtësve vendës dhe ndërkombëtarë të lirisë së mediave që gazetari Sas të amnistohet sa më parë.