E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm i përgjakshëm në Damask

Aktivistët sirianë thanë se gjatë bastisjes së kryer nga forcat qeveritare në një pjesë të Damaskut janë vrarë 47 persona dhe se një pjesë e konsiderueshme e tyre është torturuar paraprakisht.

Organizata vëzhguese e të drejtave të njeriut në Siri tha se forcat e regjimit hynë në qarkun jug-perëndimor, Xhadet Artuz dhe “arrestuan 100 të rinj që ishin sjellë në shkollë për ti torturuar”.

Banorët thanë se para largimit nga qyteti, forcat qeveritare lanë prapa një numër të madh trupash të pajetë në rrugët dhe shtëpitë e qytetit.

Televizioni shtetëror, ndërkaq, njoftoi se “dhjetëra terroristë dhe mercenarë janë dorëzuar ose vrarë” në Xhadet Artuz.

Në anën tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, ka autorizuar mbështetjen sekrete për kryengritësit sirianë, vë në pah një raport i medieve, të cilin e citon agjencia e lajmeve DPA.

Vendimi ishte nënshkruar gjatë muajve të kaluar dhe ia lejon CIA-së dhe agjencive të tjera t’u ofrojnë forcave opozitare mbështetje të fshehtë, raportoi të mërkurën mbrëma CNN, duke cituar zyrtarë anonim të Shteteve të Bashkuara.

Natyra e ndihmës nuk specifikohej, por raporti citoi burimet diplomatike të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara po e vinin në dispozicion inteligjencën e tyre për veprimet e trupave siriane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›