E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimenton edhe një qytet tjetër në Kaliforni

Qyteti i San Bernardinos në Kaliforni ka bërë kërkesë për ndihmë pas falimentimit, për shkak të deficitit buxhetor prej 46 milionë dollarësh dhe vazhdimit të hetimeve të vështira kriminale.

Qyteti listoi asetet dhe borxhet e tij që shkojnë mbi 1 miliard dollarë, tregojnë dokumentet, duke u bërë qyteti i tretë i shtetit që falimenton brenda një muaji.

Kryetari i bashkisë, Patrick Morris, deklaroi se San Bernardino ka kërkuar që ndaj tij të shmangen aksionet ligjore nga ana e kreditorëve.

Në qershor ishte qyteti i Stoktonit që falimentoi, i ndjekur nga Mamuth Lejks në korrik. Këshilli bashkiak i qytetit San Bernardino miratoi vendimin për të zyrtarizuar kërkesën për mbrojtje nga falimentimi muajin e kaluar.

Kryebashkiaku Morris konfirmoi falimentimin dhe u tregoi medieve lokale se si ishte ndjerë keq në momentin që kishte firmosur dokumentet.

Megjithatë, ai e mbrojti vendimin, duke thënë se ishte i nevojshëm për të shmangur konfiskimin e pasurive të qytetit nga instancat gjyqësore.

San Bernardino, që ndodhet 96 kilometra në lindje të Los Anxheles, ishte goditur më herët nga një krizë e shkaktuar nga humbja pronësisë mbi shtëpitë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›