E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu 325, gratë festojnë 8 marsin mes luleve dhe lotëve

09/03/2009   Kreu i Burgjeve Gazmed Dibra: Nga ligji i dënimeve alternative përfitojnë 72 gra

TIRANË- Gratë e dënuara festojnë 8 marsin mes lotëve dhe tufave me lule të sjella nga fëmijët. Dita ndërkombëtare e gruas, 8 marsi, ka bashkuar nënat dhe të dashurit e tyre. Ka qenë dita e vetme ku gratë e dënuara kanë ndjerë një përjetim të veçantë. Që në mëngjes herët ato ishin të përgatitura për këtë festë. Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve kishte marrë të gjitha masat që kjo ditë të ishte paksa e veçantë nga ditët e tjera në burg. Këngë, valle dhe lule për gratë e privuara nga liria. Dhimbja për fëmijët e tyre është e madhe. Pikërisht kjo ditë ia ka lehtësuar për pak momente këtë dhimbje. Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve u dha të drejtë grave që në ditën e 8 marsit të festojnë të bashkuara me fëmijët. Madje gratë janë ndjerë të lumtura për pak momente nën efektin e muzikës. Në këtë ditë mes grave të dënuara ka qenë edhe drejtori Gazmend Dibra. Teksa fliste për të drejtat e grave, të cilat janë privuar nga liria pas një vepre penale që kanë bërë, Dibra u dha shpresë një pjesë të mirë të grave se mund të përfitojnë nga ligji për dënimet alternative. Sipas numrit një të burgjeve, pothuajse një pjesë e mirë e grave, rreth 72 prej tyre përfitojnë nga ligji për dënimet alternative. Bëhet fjalë për ato gra, të cilat nuk kanë kryer vepra të rënda penale. Dibra tha dje se në burgun 325 vuajnë dënimin aktualisht 84 gra. Historitë e tyre janë më të ndryshmet. Aishe Pojana një prej grave të dënuara me burg për vrasjen e bashkëshortit dje takoi fëmijët e saj, të cilët janë nën kujdesin e të afërmve. Mes dhimbje dhe ndjesës për atë që ka bërë, Pojana tha se shteti duhet të tregoi pak mëshirë për to pavarësisht se kanë kryer nga një krim për të cilin janë penduar tashmë. Për Aishe Pojanën, nuk është e falshme ajo që i ka ndodhur (vrasja e bashkëshortit dhe mbetja e fëmijëve jetim), por gjithsesi ajo shpreson që një ditë fëmijët ta kuptojnë rolin e saj dhe atë çfarë ka bërë. Sonila Dinoshi është një tjetër e dënuar që ndodhet në burgun 325. E veshur me të zeza, mes lotëve Sonila deklaroi dje se donte të ishte në ato momente prekëse tek varri i nënës për t’i dhuruar një lule. Shumë gra të tjera deklaruan dje se shpresonin shumë që ditën e 8 marsit Presidenti i vendit t’i dhuronte falje. Por pritja ka qenë e kot. Me iniciativën e Drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, të gjitha gratë e dënuara dje patën mundësinë të bënin nga një telefonatë me familjarët e tyre. Pothuajse të gjitha gratë e kanë patur fatin të flasin me familjarët, të cilët dje nuk ishin të pranishëm në festën e tyre. E teksa flisnin ato ndjenin edhe dhimbjen për atë që u ka ndodhur.

Dhuna ndaj grave

Ndonëse tashmë kanë kaluar 16 vjet, që kur shqiptarët nisën të konceptonin lirinë në familjen e tyre, por për asnjë çast nuk ndryshuan taktikën e të sjellurit kryesisht me femrën. Nga viti në vit numri i grave të rrahura nuk ndryshoi edhe aq shumë, pasi në komisariate vinin me qindra denoncime, teksa qindra gra të tjera heshtën. Vetëm në vitin 2008 u numëruan rreth 500 gra të dhunuara që kishin denoncuar dhunën, teksa në muajt e parë të këtij viti janë mbrojtur me dhjetëra gra nga gjykata.

TIRANË- Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas raportit të nxjerrë nga KSHH ( Komitetit Shqiptarë i Helsinkit) për situatën në burgje. Burgjet i referohen në këtë rast edhe një raporti të nxjerrë prej Komitetit të Parandalimit të Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor. Mbipopullimi nuk është një konstatim i KSHH-së, por është një shqetësim i vazhdueshëm i ngritur nga DPB-ja, e cila ka parë disa të pavërteta tek ky raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›