Rehn: Zgjedhjet, më të mira se në ‘05
BLEDAR HOTI
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit cilësohen nga komisioneri Oli Rehn si më të mirat nga ato të mëparshmet. Komisioneri për Zgjerim zhvilloi dje një takim në Parlamentin Evropian me anëtarët e komisionet të Marrëdhëniet me Jashtë, mbi zhvillimet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioneri Rehn vlerësoi zgjedhjet parlamentare si më të mira, në krahasim me ato të mëparshme, duke vënë në dukje se, megjithatë u konstatuan mangësi. Komisioneri i lartë njoftoi anëtarët e AFET-it se Komisioni Evropian është në pritje të raportit të OSBE-së, për të dhënë vlerësimin përfundimtar ne lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. “Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinionin mbi kërkesën e Shqipërisë për aderim në BE, nëse Këshilli i BE-së do të na japë mandat për këtë”, u shpreh Rehn. Pasi vlerësoi bashkëpunimin me Parlamentin Evropian në zgjerimin e BE-së si një histori suksesi, komisioneri Rehn vuri theksin mbi liberalizimin e vizave, si një proces të pakthyeshëm që do të çojë në evropianizimin e shoqërisë civile në rajon dhe nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, me kusht që qeveritë e tyre përkatëse të kenë përmbushur kriteret e nevojshme. “Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina do t’i ndjekin vendet fqinje shpejt në këtë proces”, theksoi Rehn. Komisioneri Rehn nënvizoi se “nëse Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina do të vazhdojnë reformat me ritmin e tanishëm, atëherë Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të bëjë propozimin për heqjen e vizave edhe për këto dy vende deri në mesin e vitit 2010. Sidoqoftë, vazhdoi ai, çdo gjë varet nga shpejtësia e reformave të Shqipërisë dhe Bosnje – Hercegovinës”. Kushtet që mbeten për t’u plotësuar për Shqipërinë janë: “Standarde të larta të sigurisë së dokumenteve dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. (Në vijim ai shtoi se Serbia ka shpërndarë tashmë me shumë se 700 000, Maqedonia 400 000 dhe Mali i Zi 100 000 pasaporta biometrike); forcimi i strukturave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; Forcimi i kontrollit dhe menaxhimit të kufijve”.
Kushtet që mbeten për t’u plotësuar nga Shqipëria
Standarde të larta të sigurisë së dokumenteve dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Forcimi i strukturave ne luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit Forcimi i kontrollit dhe menaxhimit të kufijve