Burgu i Burrelit, ku shumë hynin dhe pak dilnin të gjallë
Duke lexuar librin e Aldo Renato Terrusit: “Ritorno al paese delle acquile” (“Kthim në vendin e shqiponjave”
Nga Kolec Topalli
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri
“Këndej kalohet në qytet të mjerimit,
këndej kalohet në dhimbjen pa kufi
këndej kalohet tek njerëzit humbun shqimit”.
Këto fjalë lexoi Dante Aligheri në portën e ferrit në udhëtimin e tij imagjinar në botën e përtejme. Poeti i këtyre vargjeve nuk mund ta imagjinonte se një ditë këtë tercinë mund ta lexonte në portën e ferrit tokësor, që diktatura komuniste krijoi me burgun e Burrelit, ku shumë hynin e pak dilnin gjallë prej tij, se më të shumtët vdiqën atje, ashtu siç i ndodhi babait të autorit të librit “Ritorno al Paese delle Aquile” të Aldo Renato Terrusit. Ishte viti 1993, kur autori i këtij libri, i shoqëruar nga daja, Giacomo Poselli, portieri i njohur i kombëtares shqiptare, po kthehej në Shqipëri pas shumë vitesh, me një qëllim të vetëm: të gjente eshtrat e babait, vdekur në burgun famëkeq të Burrelit.
Dhe vinin sikur mbas një lufte të gjatë, që ka shkatërruar gjithçka, sikur po shkelnin në një vend fantazmash, ku çdo gjë fliste ndryshe nga bota e qytetëruar. Gjëja e parë që i bën përshtypje ishin bunkerët, këto qenie apokaliptike, që të kujtonin se ky vend kishte mbetur ende në gjendjen e luftës si para 50 vjetësh. Të shpërndarë anembanë tokës shqiptare, ata ishin shprehja më absurde e një pushteti që donte të mbronte me çdo kusht ekzistencën e vet kundër një armiku imagjinar, të shpikur, të sendërtuar vetëm në mendjet e sëmura e diabolike të udhëheqjes “largpamëse” sa hunda e tyre, duke mbjellë me to fushat, kodrat, malet e brigjet e detit, athue se toka jonë kishte nevojë veç për beton e hekura.
Rruga nga Rinasi për në Tiranë është demonstrimi më i qartë i varfërisë së skajshme të popullit, dëshmi tronditëse e një jete të kaluar me minimumin jetik, aq sa i duhej për të mbajtur frymën gjallë. Një vend i shkatërruar me gjysma ndërtimesh, sikur kishte dalë nga një luftë e gjatë. Por në sheshin e madh të kryeqytetit autori gjen momentet e krenarisë popullore: përmendoren e Gjergj Kastriotit, simbol i qëndresës për të mbrojtur trojet, zakonet, traditat, me një proces që përfundoi me lindjen e shtetit, të identitetit dhe të bashkimit kombëtar, një mësim i mirë ky edhe për ditët e sotme.
Akti i parë zhvillohet në Dajti, hoteli ku u ndërthurën gëzime e festa me plane e kurthe politike. Pritjet e Mbretit të shqiptarëve me konteshën Geraldina, vizitat e ministrit të jashtëm Çiano të periudhës së pushtimit fashist, takimet e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës me vrasësit e paguar, hierarkët arrogantë gjermanë e komisarët politikë fodullë shqiptarë, planet e ndërthurura nga emisarët intrigantë të Moskës e spiunët servilë jugosllavë, këto janë kujtimet që ngjall kjo ndërtesë, dikur qendra e Tiranës.
Dhe kudo që shkon, e ndjek, si një fantazmë e goditur për vdekje, hija e diktatorit. Ajo shfaqet në piramidën e kryeqytetit, që do të shërbente si mauzole i fundit të tij. I shfaqet në kujtimet e vendlindjes së tij, atje ku banoi për njëfarë kohe familja Terrusi, duke u lidhur me shumë kujtime të hidhura, të kaluara para më shumë se një gjysmë shekulli.
E sotmja dhe e kaluara, nostalgjia e trishtimi, gëzimi e dhimbja, vitet ’90 dhe vitet ’30, e vërteta e ditëve të demokracisë dhe parullat mashtruese të diktatorit, të gjitha këto shpalosen e gërshetohen përmes kujtimeve të paharruara. Dhe episodet ndjekin njëri-tjetrin, shpaloset e kaluara e hidhur. Poselli vjen në Tiranë, ndërsa Giuseppe ka rënë në burg bashkë me të gjithë drejtuesit e bankës italiane me akuza absurde. Një spirale që i hapet për të nxjerrë nga burgu të kunatin, dështon: shpresa në miqësinë me ministrin e ekonomisë Nako Spiro, me të cilin ishte njohur në shkollë në Korfuz, shuhet me të ashtuquajturën vetëvrasje të tij. Dhe prapë hija e diktatorit: “Ishte komunist por nuk i pëlqente aspak Enverit” shkruan autori, prandaj u akuzua për devijime shoviniste. Dhe u varros me madhështinë e një lideri. Ishte metoda e njohur e të gjithë xhelatëve, që të vrisnin natën e të qanin ditën.
Po cila ishte arsyeja e vërtetë e burgosjes së Giuseppe Terrusit?
Duhet të kthehemi disa vjet prapa, në vitet ’30 kur familja e tij u vendos në qytetin jugor të Gjirokastrës, ku e kishte hedhur udha e emigracionit bashkë me disa familje të tjera italiane, ndër të cilat edhe ajo e Aurelias, nënës së autorit. Ajo ishte në moshën 16 vjeçare, një vajzë me bukuri të rrallë, elegante, inteligjente dhe me një edukatë të përsosur, që e kishte marrë në familjen e saj fisnike dhe në shkollë pranë suorave franceze. Ishte krejt e veçantë nga vajzat e tjera të qytetit. Bukuria e saj, sjellja, e çdo gjë tjetër tërhiqnin vëmendjen e të rinjve, sa secili dëshironte të kishte një shikim, një buzëqeshje, një fjalë të ëmbël prej saj. Por siç thotë poeti Ndre Mjeda për bilbilin “vetë bukurija, o i shkreti, kenka për ju nji kob”. Dhe kobi i zi nisi atëherë kur bukuria e Aurelias tërhoqi vëmendjen e një skifteri pervers e paranojak, që mbante emrin Enver Hoxha. Duke përfituar nga fqinjësia dhe miqësia e prindërve, ai u përpoq me të gjitha mënyrat të krijonte marrëdhënie me vajzën e brishtë, por edukata dhe botëkuptimi i saj nuk mund të pajtoheshin me prepotencën dhe frymën dhunuese të këtij të riu, i cili, pasi dështoi në tentativat e tij për ta bërë të vetën, u detyrua të largohej përgjithmonë prej saj, por jo pa premtimin e hakmarrjes. Dhe hakmarrja erdhi disa vite më vonë, kur bashkëshortin e Aurelias, Giuseppe Terrusin e arrestuan për ta mbajtur të mbyllur në ferrin shqiptar të Burrelit deri ditën që vdiq, nga uria?, nga torturat?, nga sëmundjet? Një Zot e di. Është historia që përsëritet më vonë me Sabiha Kasimatin, të pushkatuar me 21 të tjerë me rastin e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, me Musine Kokalarin, shkrimtaren dhe vajzën e zgjuar, që vdiq në internim, e kushedi me kë tjetër, të gjitha viktima të diktatorit.
Dhe burgimi i përjetshëm e përpiu Giuseppen. Ai i kishte pasur të gjitha mundësitë të largohej nga murtaja komuniste që goditi vendin tonë. Madje, një mik i ngushtë i familjes ia kërkoi me ngulm largimin për në Itali, por ai ishte i vendosur të mos braktiste nëpunësit e miqtë e tij të bankës, prandaj qëndroi, pa e ditur se ç’tragjedi po përgatitej për të, për familjen, miqtë e tij dhe për të gjithë shqiptarët. “Për shumicën dërrmuese po fillonte një kalvar i gjatë” - thotë autori.
Sipas një akordi ndërmjet bankës dhe qeverisë shqiptare, një pjesë e nëpunësve duhet të ishin me nënshtetësi shqiptare. Dhe ndodhi që njëri prej tyre në bashkëpunim me dy të tjerë të Nacionalçlirimtares organizuan vjedhjen e saj. U vendos pushimi i tij nga puna. Por jo; ai duhej të mbahej me urdhër të diktatorit. Ishte koha e hajdutëve, të atyre që u rrëmbyen pasuritë tregtarëve, i masakruan në burg, i dënuan, i vranë për t’u marrë gjithçka në emër të popullit, pa pyetur për ligje e të drejta njerëzore.
Dy muaj pas lindjes së Aldos, në mars të vitit ’45 filloi hakmarrja primitive e atij që ishte vënë në krye të shtetit policor. Me një mandat arresti që mbante firmën e diktatorit Hoxha, u paraqitën në bankë dy të Nacionalçlirimtares, që i vunë prangat drejtorit të saj. Dhe siç ishte bërë zakon, pas një hetuesie të shoqëruar me tortura çnjerëzore, u zhvillua me dyer të mbyllura një gjyq komedi pa avokat, ku dëshmitarë ishin vetëm dy nëpunësit që ishin caktuar në punë nga diktatori dhe kishin bashkëpunuar me hajdutët ordinerë për vjedhjen e bankës. Asnjë nga nëpunësit e tjerë nuk pranoi shpërblimin e prokurorisë për të dalë dëshmitarë të rremë, ndërsa ata që kërkuan të dëshmojnë në favor të Giuseppes, nuk u pranuan. Atyre ia mbyllën gojën nën kërcënimin e bashkëpunimit me armikun. Dhe gjyqi e dënoi me 10 vjet burg. Takimi i i tij i fundit ishte me mikun e shtëpisë Melis. Me duar të lidhura, Giuseppe i la në kujdesje familjen e sidomos djalin e posalindur. Ishte si një testament i fundit, dhe s’e pa më njeri. U bënë shumë përpjekje për lirimin e tij, ashtu si për shumë bashkëpatriotë të tij, të cilët u falën, por Giuseppe jo. Një herë shkoi në Komitet Qendror vetë Aurelia, me shpresë se do të takonte dikë, ndoshta vetë diktatorin; por qe gjithçka e kotë. Më vonë njëri nga ndihmësxhelatët, jerark i regjimit, e thirri disa herë duke i bërë gjithëfarë propozimesh të papranueshme në këmbim të lirimit të bashkëshortit; por prej saj mori vetëm përgjigje negative.
Dhe erdhi dita e riatdhesimit. Më në fund do të niseshin. Por pa Giuseppen. Ajo u largua me shpresë se një ditë do ta arrinte edhe i shoqi, që vuante në burgjet shqiptare. Por ajo s’e pa më kurrë, as të gjallë, as të vdekur. Nga burgu i Vlorës e transferuan në Burrel, atje ku edhe vdiq në krahët e një bashkëvuajtësi tjetër, i cili tregon: ”Dy ditë para se të vdiste, e çuan në dhomën e caktuar për ata që ishin në prag të vdekjes. Vuajti shumë. Nuk mbushej me frymë. Pati një dhimbje të fortë në gjoks e pastaj nga goja i doli një shtëllungë gjaku. Ditën tjetër ndërroi jetë. Ishte 2 mars i vitit 1952. Ai vdiq në moshën 52 vjeçare. Dhe lajmi i trishtë i vjen familjes në Itali përmes një telegrami me pak fjalë, të ftohta ashtu siç kishte qenë ajo ditë marsi me ngrica në Burrelin e largë, ku ndërroi jetë. E ndërsa tre të burgosur gërmonin dheun e ngrirë, rojet e burgut talleshin me ta dhe i fyenin duke u thënë se shpejt do të vinte radha e tyre. Se burgu i Burrelit i tillë ishte.
Dhe bashkëvuajtësi i Burrelit vijon: “Ata roje kanë vdekur, kurse unë jam këtu ende i gjallë. Nga një rastësi mësova se të dy ishin vrarë nga diktatura gjatë regjimit të Enver Hoxhës nga vrasës që nuk u gjetën kurrë”. Është historia e kanibalëve që hanë njëri-tjetrin. Dhe kuadrin e martirizimit e mbyll dëshmia e një bashkëvuajtësi tjetër.
“Burgu i Burrelit ishte më i tmerrshmi. Na jepnin për të ngrënë një herë në ditë, një supë me fasule o patate dhe një fetë buke të zezë, aq sa edhe sot më del gjak nga ulcera. Dritaret ishin pa xhama në një vend ku dimri ishte shumë i ashpër. Isha 21 vjeç kur më dënuan me vdekje. Për 76 ditë më kanë mbajtur të lidhur duar e këmbë. Për të më shtrënguar të denoncoja shokët e mi, tri herë më detyruan të hapja varrin tim para një skuadre pushkatimi, por prapë nuk u dhashë. Në burg kishin rënë babai dhe xhaxhai. Kur ma kthyen dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm, mora vesh vdekjen e babait dhe dy ditë më vonë pushkatuan vëllain. Tri ditë pasi kisha dalë nga izolimi, vdiq xhaxhai në krahët e mi, dhe disa ditë më vonë më vdiq edhe nëna nga dhembja e pikëllimi”.
Duke përfunduar, në emër të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, u bëj thirrje të gjithëve: të mos i harrojmë vuajtjet e baballarëve dhe nënave tona, vëllezërve e motrave. Le të jenë ata kujtesa jonë, pa të cilën nuk mund të ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen.