E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burgu i Lezhës, futen 30 të dënuarit e parë

15/02/2005  Fillon nga puna burgu i ri, i ndërtuar në Lezhë. Ndërsa përurimi i këtij burgu pritet të bëhet sot, të dënuarit e parë futen në dhomat e reja. 30 të dënuarit e parë në këtë burg erdhën nga Peqini. Dje, që në orët e para të mëngjesit filloi transferimi i të dënuarve të parë nga Peqini për në Lezhë. Kapaciteti i këtij burgu arrin në 800 të dënuar. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se burgu i Lezhës është i dyti pas atij të Peqinit, me kapacitet të madh dhe siguri të plotë. Në këtë burg pritet të dërgohen edhe të dënuar për krime të rënda. Një sektor i këtij burgu do të jetë i sigurisë së lartë dhe do të mbajë të dënuarit me burgim të përjetshëm, ndërsa pjesa më e madhe, do të jetë i sigurisë së zakonshme. Hapja e këtij burgu, sipas vetë ministrit të Drejtësisë, do të zbusë mbipopullimin në burgje të tjera. Jo vetëm kaq, por tashmë edhe ata të dënuar që mbahen ende nëpër komisariate, do të mund të strehohen në burgje. Ministri Fatmir Xhafa, në korrik të vitit të kaluar, urdhëroi largimin e të gjithë të dënuarve me formë të prerë nga komisariatet për në kampe. Por edhe pse vendimi duhej të zbatohej deri më 31 korrik 2004, të dënuarit me formë të prerë vazhdojnë të qëndrojnë në komisariate. Mbipopullimi i burgjeve dhe komisariateve ka hapur edhe probleme të tjera, siç është arratisja dhe ngritja në grevë për plotësimin e kushteve të nevojshme. Megjithë përpjekjet për të ndërtuar burgje të reja, gjendja në paraburgim është trajtuar nga shumë organizata joqeveritare si skandaloze. Brenda këtij viti pritet të përfundojë edhe burgu i Fushë-Krujës, me një kapacitet 312 vende. Ndërkohë që burgu për të miturit në Pogradec ende nuk ka filluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›