E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria pushon dosjen “Reparti 100”

15/02/2005  Pasi kanë njohur të paktën tre vendime pushimi dhe tre të tjera për rinisjen e hetimeve, dosja e abuzimeve financiare në polici, “Reparti 100” duket se është mbyllur në mënyrë përfundimtare. Me një urdhër të zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme, dy nga tre drejtorët e akuzuar për këtë dosje, kanë marrë vendimin e pushimit të hetimeve në ngarkim të tyre. Argumenti me të cilin është mbyllur dosja, është mungesa e elementëve të veprës penale dhe e dëmit ekonomik. Dosja “Reparti 100” përmban shkeljet financiare që janë kryer gjatë zhvillimit të disa tenderave në Ministrinë e Rendit, për blerjen e veshëmbathjeve, radiove dhe pajisjeve të tjera për policinë. Shkeljet financiare u zbuluan fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ky institucion ka çuar në Prokurori për ndjekje penale tre zyrtarë të dikasterit blu për abuzime me tenderat. “Ministria e Rendit Publik për vitin 2003, nuk ka realizuar shumën e arkëtimit prej 26.506 lekë të reja, një shifër kjo, e cila llogaritet si dëm në buxhetin e shtetit, e shkaktuar si pasojë e shkeljeve ekonomike të zyrtarëve të kallëzuar penalisht në Prokurori. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2003, në dikasterin e Rendit nuk janë vënë re vetëm abuzime ekonomike, apo teknike, por edhe ligjore. Kontrolli i Lartë i Shtetit i është drejtuar Prokurorisë, duke i vënë në dispozicion të dhënat e kontrolleve, por duke kërkuar edhe fillimin e hetimeve. Në raportin vjetor për vitin 2003, Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se, në Ministrinë e Rendit janë vënë re 52 raste të mangësive në zbatimin e procedurave të tenderimit publik, me vlerë 2.6 milionë lekë, dëm ky i shkaktuar në arkën e shtetit. Në Ministrinë e Rendit Publik nuk është hartuar program i veçantë për zbatimin e detyrave të rekomanduara. Për rrjedhojë, nga 22 detyra, janë zbatuar plotësisht vetëm tetë, kurse 3 të tjera kanë gjetur vetëm zbatim të pjesshëm”, thuhet në kallëzimin penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›