E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB-ja kërkon tre mijë trupa shtesë për Kongon



Kreu i paqeruajtësve të OKB-së, Alain Le Roi, ka bërë sërish thirrje për dërgimin e më shumë se tre mijë ushtarëve në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Sipas Le Roit, ky vend kishte nevojë urgjente për mbrojtjen e civilëve në rajonin ku luftimet mes trupave qeveritare dhe rebelëve kanë detyruar një çerekmilion veta të largohen nga shtëpitë e tyre. Kjo kërkesë po shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Le Roi tha se kishte vetëm 10 ushtarë për 10000 banorë në lindje të Kongos dhe kjo nuk ishte e mjaftueshme për të mbrojtur popullatën. Britania ka thënë se 17 mijë trupat e OKB-së në Kongo, që përbëjnë edhe misionin më të madh të OKB-së në botë, duhet të jenë më mirë të dislokuara.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se është e jashtëzakonshme që Këshilli i Sigurimit nuk ka vepruar megjithë situatën e tmerrshme në terren dhe e quajti qëndrimin britanik një keqkuptim kokëfortë të asaj që po ndodhte.

Tajvani arreston ish-presidentin Çen

Ish-presidenti i Tajvanit, Çen Shui Bian, është marrë në paraburgim pasi një gjykatë aprovoi kërkesën e prokurorëve për ta ndaluar atë. Çen iu përgjigj për disa orë pyetjeve në zyrën e prokurorit. Kur u nxorr nga zyra me pranga, ai ngriti duart lart dhe thirri “persekutim politik” përpara se të hynte në makinën e tij. Prokurorët e akuzojnë z. Çen dhe bashkëshorten e tij për shpërdorim të mijëra dollarëve nga fondi i veçantë presidencial.
Ata akuzojnë familjen e tij se ka transferuar në mënyrë të paligjshme miliona dollarë në banka jashtë vendit. Megjithatë, ish-presidenti Çen i mohon akuzat dhe fajëson për arrestimin e tij presidentin aktual Ma Ying Jeou dhe partinë në fuqi Kuomintang, duke i akuzuar ata se janë përkulur para presionit të Pekinit. Gjashtë muaj më parë, z. Çen përfundoi mandatin e tij në postin e presidentit ku shërbeu për tetë vjet. Ai ishte presidenti i parë i Tajvanit nga radhët e opozitës.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›