E Diel, 1 Nëntor 2026

Jepet “Grand Prix” në Montpellier për “Shkallët” e Ilir Harxhit



“Shkallët” titullohet komedia e regjisorit Ilir Harxhi e cila javën e fundit të tetorit u vlerësua me çmimin “Grand Prix” në Festivalin e Montpellierit në Francë. Ky film i përket metrazhit të shkurtër (30 minuta) dhe është financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe shtëpisë filmike “Idea”. Pas kthimit të stafit nga festivali i Francës, ministri i Kulturës ka pritur dhe është përshëndetur me regjisorin Harxhi për trofeun e marrë nga kinemaja shqiptare në garën mes 2500 filmave nga e gjithë bota.
Ndërkaq, aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa, protagoniste e filmit, thotë: “Kam kontribuar me dashuri dhe përkushtim në kinematografi, por më vjen shumë mirë që të rinjtë që vijnë pas nesh punojnë me përgjegjësi dhe përkushtim, posaçërisht regjisori Ilir Harxhi, i cili me pasion dhe dashuri punoi për këtë film dhe arriti deri këtu”. Të tjerë aktorë që luajnë në këtë film janë Gentian Zenelaj, Agnesa Vuthaj, Genc Fuga, Ledio Lako e Naun Shundi. Subjekti bën fjalë për një ndërtues të pangopur nga fitimet, i cili edhe pallatin ku jeton vetë e ndërton jashtë standardeve, duke ngushtuar shkallët, gjë që do të rezultojë fatale në fatin e tij tragjik.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›