E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktor Adhamudhi dhe Monumentet e Kulturës

Shembet banesa 3-shekullore, shtëpia e Koloit në Gjirokastër

Petrika GROSI
“Nëse të dhemb njëra dorë, prije të shpëtosh tjetrën; nëse të dhemb njëri sy, hiqe të shpëtosh tjetrin...”. Këto shprehje groteske të kujtojnë mbi të gjitha personazhin e doktor Adhamudhit. E njëjta gjë duket se ka ndodhur kësaj here në Gjirokastër, ku me urdhër të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës është shembur shtëpia karakteristike 300-vjeçare, e njohur si banesa e Koloit, monument kulture i kategorisë II ,që ndodhej në lagjen “Varosh” të qytetit të gurtë. Arsyeja e kësaj shembjeje, siç pohohet nga drejtori i Monumenteve të Gjirokastrës, Spartak Drasa, është fakti se kjo shtëpi rrezikonte të binte mbi banesat e tjera ose kalimtarët. “Kjo shtëpi, e cila ndodhej në gjendje të amortizuar, u shemb të martën për të evituar rrezikun ndaj komunitetit, nisur nga ngjarja e ndodhur katër ditë më parë kur një pallat pesëkatësh u shemb”, – tha ai. Më e keqja në këtë mes është vazhdimi i prononcimit të drejtorit Drasa dhe pohimi se do të vijojë shembja e shtëpive të tjera në Gjirokastër, me qëllim që të shmangin rrezikun e shembjes së natyrshme të tyre. Nuk do të kishte krahasim më të përshtatshëm sesa doktor Adhamudhi për këtë rast dhe është me të vërtetë për të ardhur keq për vetë faktin se në këtë mënyrë, shteti, Bashkia e Gjirokastrës dhe strukturat përkatëse për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, si Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, IMK-ja etj., shfaqin haptazi pasivitet, mungesë investimi dhe paaftësi në mbajtjen dhe ruajtjen e këtyre banesave disashekullore, me vlera monumentale të pallogaritshme, kjo jo vetëm për Gjirokastrën. Sa i takon banesës karakteristike të Koloit, (i paharruar qoftë kujtimi i saj!) ajo ishte e braktisur nga pronarët dhe në mars të këtij viti u përfshi nga një zjarr që dëmtoi rëndë ambientet muzeale të godinës. Le të shpresojmë që një marrëzi dhe vendime të tilla të marrin fund dhe të mos përsëriten në të ardhmen. Përndryshe, nuk do të ishte aspak çudi që një ditë të bukur të shohim të digjen krejt lagjet e vjetra e karakteristike të qyteteve muze në Shqipëri, pasi godinat e tyre rrezikojnë të shemben ndërsa i paskëshin humbur vlerat me kohë e me vakt. Po si vallë humbkan kështu vlerat këto godina, pikërisht në një kohë kaq të shkurtër disavjeçare, ndërkohë që mrekullisht janë mbajtur në këmbë për shekuj me radhë?! Kësaj pyetjeje do të ishte mirë t’i jepnin përgjigje personat kompetentë, kryetari i Bashkisë, ministri i Kulturës, specialistët e monumenteve, forcat e rendit, etj., duke bërë qartësi publike dhe duke vënë pikat mbi “i”, bashkë me marrjen dhe ndarjen e përgjegjësive që i takojnë gjithsecilit.
Ajo që është më e rëndësishmja mbetet kuptimi i rëndësisë së situatës kritike. Monumentet e Kulturës po lihen aq shumë pas dore dhe në mëshirë të fatit, saqë kjo nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë më parë, ndërkohë që, si për ironi të fatit, turizmin kulturor desh besuam të gjithë se, sipas deklaratave të ministrit Pango, e paskëshim edhe prioritet të qeverisë! Natyrisht që kur ka raste të rrezikimit të jetëve njerëzore, ato vijnë mbi të gjitha. Por, vendime të këtij lloji, për shembje monumentesh, mund të shmangen e po kështu mund të parandalohet rënia e zjarrit dhe shkatërrimi i këtyre godinave (Monumente Kulture) deri në humbjen e identitetit. Fundja, një ndër mburrjet për të kaluarën e famshme e të ndritur të gjyshërve e të stërgjyshërve tanë, por edhe vlerë e çmuar e patjetërsueshme, janë pikërisht këto monumente të trashëgimisë kulturore materiale, me arkitekturën e tyre mbresëlënëse, historinë dhe disa qindra shekuj që mbartin mbi supe. Që të kuptohemi drejt, gjithçka mund të ishte parandaluar nëse do të ndërhyhej në kohë. Le të mos flihet, në mënyrë që nesër të mos jemi tepër vonë. Këtu mund të rikujtojmë se edhe futja në UNESCO e qytetit të gurtë nuk është e përjetshme. Nëse konstatohet që Gjirokastra po humb vlerat, shumë shpejt mund të vijë përjashtimi i saj nga lista e lakmuar e Trashëgimisë së Kulturës Botërore.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›