E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: “I falemi të vetmit Zot, futbollit”



Dash Frashëri

Falje borxhesh qindramilionëshe. 1.5 milionë euro investim, gjashtë stadiume me ndriçim për vitin e ardhshëm, 3.4 milionë euro investime për 12 fusha stërvitjeje me bar artificial, 3.2 milionë euro të ardhura nga e drejta televizive, pesë fusha stadiumesh në përfundim e sipër. Këto janë arritjet dhe projektet ambicioze të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe sfida individuale e presidentit të saj, Armand Duka.
BIBLA - “Mbaje topin pranë zemrës”. Slogani i gjetur i FSHF-së ka reflektuar vlerat e tij. “Respekti kryesor, - tha midis të tjerash Duka në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshëm të FSHF-së, - u takon ‘ligjeve të futbollit’. Ne i falemi të vetmit Zot, futbollit. Dhe e mbështesim veprimtarinë në të vetmen Bibël, Statutin”. Bosi i FSHF-së, Armand Duka, i cili prej gjashtë vjetësh drejton kupolën e futbollit shqiptar tha: “Periudha midis dy Asambleve ka qenë një periudhë e vështirë, e mbushur me ngjarje, aktivitete, suksese, por ka pasur edhe probleme. Situatat shpesh ndryshonin me orë të tëra dhe një punë gjigante e bërë nga breza të tërë vihej në rrezik. Këto situata janë menaxhuar me sukses. Duke pasur mbështetjen tuaj, solidaritetin e lojës sonë, por edhe të institucioneve ndërkombëtare, UEFA-s e FIFA-s, ne besojmë se ia dolëm të gjenim zgjidhjet e duhura”.
KAMPIONATI – “Edicioni i kaluar ishte më i bukuri dhe më spektakolari në historinë e futbollit shqiptar pas viteve ’90. Ky nuk është thjesht konkluzioni i FSHF-së, por edhe i specialistëve dhe i gjithë medias sportive në Shqipëri”, - tha Duka. “Çështja e titullit kampion u zgjidh në momentin e fundit, madje në limitin e mbylljes së edicionit. Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm në Kategorinë Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë dhe atë të Dytë, si në ndeshjet Play Off”.
KOMBËTARJA – “Barazimet me Suedinë në Tiranë (0-0) dhe Portugalinë në Bragë (0-0) dhe fitorja me Maltën e kanë vendosur Shqipërinë në një pozicion komod në grup dhe tashmë ne shohim me seriozitet e optimizëm përpara”, - theksoi presidenti Duka. “Pas humbjes me Hungarinë (2-0) erdhi barazimi 0-0 në Portugali, përballë një kombëtareje e cila renditet ndër 10 më të mirat në botë. Ky rezultat është trumbetuar në të gjithë Europën si një arritje e madhe e Kombëtares shqiptare të futbollit, e cila tashmë shihet si një ekip shumë cilësor, që nuk mund të cilësohet më si një rezultat surprizë, por si një realitet i futbollit europian. Trajneri Ari Han dhe stafi i tij kanë bërë një punë shumë të mirë”.
FINANCAT - “Gjendja jonë financiare është përmirësuar mjaft. Duke parë raportet financiare të viteve 2006-2008, si dhe duke iu referuar projektbuxhetit të vitit 2009, vihet re një rritje të ardhurash. Të ardhurat nga e drejta televizive jashtë Shqipërisë për ndeshjet e ekipeve kombëtare nga 2.7 milionë euro për periudhën katërvjeçare dhjetor 2003 - nëntor 2007, kanë arritur në 3.2 milionë euro për periudhën dyvjeçare mars 2008 - maj 2010. Sponsorizimet nga 780 mijë euro (2006-2008) kanë arritur në 1 milion euro (2008-2010).
BORXHET – “Duke parë këtë situatë, - shtoi Duka, - duke analizuar edhe problemet me mosshlyerjen e detyrimeve financiare të klubeve, si Komitet Ekzekutiv kemi vendosur t’i kërkojmë Asamblesë fshirjen e borxheve të klubeve dhe kjo nuk është një shumë e vogël, por disa qindra milionë lekë”. Miratimi i klubeve jo i gjithi “jeshil”, por çuditërisht edhe pesë kartonë të kuq (kundër).

“Blater” e zbret 3 vende Shqipërinë

Shqipëria bëri një “prapa-kthehu” me 3 vende dhe tashmë gjendet e pozicionuar në vendin e 86-të në renditjen botërore të FIFA-s për muajin nëntor, teksa 30 ditë më parë ishte në të 83-tin. Humbja me Hungarinë ka kushtuar jo pak, por -6 pikë, edhe pse barazuam me Portugalinë katër ditë më pas (15 tetor). Tashmë jemi në vendin e 86-të me 410 pikë, 13 vende më pak se rekordi i këtij viti, ai i muajit shkurt 2008, kur ndodheshim në vendin e 73-të. Shqipëria renditet e 39-ta në Europë nga 53 vende që aderojnë në UEFA. Azerbajxhani, kundërshtari ynë i miqësores së 19 nëntorit, ka ngjitur 9 vende dhe ndodhet në vendin e 134-t në FIFA (208 pikë) dhe në të 48-tin në UEFA. Renditja botërore kryesohet nga Spanja (1657 pikë), Gjermania (1413 pikë) e Italia (1356 pikë). Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, situata është kjo:

Portugalia: 10 në FIFA; 9 në UEFA, 1058 pikë, + vende
Suedia: 289 në FIFA; 18 në UEFA, 776 pikë -1 vend
Danimarka: 34 në FIFA; 22 në UEFA, 757 pikë, - 3 vende
Hungaria: 56 në FIFA; 31 në UEFA, 551 pikë, + 6 vende
Shqipëria: 86 në FIFA; 39 në UEFA, 410 pikë, - 3 vende
Malta: 150 në FIFA; 49 në UEFA, 153 pikë ,- 4 vende.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›