E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Vlorës, do shtohen 11 degë të reja

 

Rreth 11 programe të reja studimi pritet të hapen këtë vit në Universitetin “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës. Me to shkon në 32 numrin i diplomave. Sipas drejtuesve të këtij universiteti, janë hartuar programet përkatëse dhe është aplikuar për miratimin e tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mes programeve të reja, që synohet të çelen në vitin e ri akademik, përfshihen diplomë e integruar në inxhinieri elektrike dhe financë, diploma të nivelit të parë në fizikë, kimi, biologji, shkencat kompjutacionale, arkeologji, histori, turizëm kulturor. Shtimi i degëve të reja është pjesë e strategjisë së stafit drejtues në Universitetin e Vlorës, që synon transformimin e tij në një institucion arsimor bashkëkohor dhe u shtohen atyre të miratuar prej më shumë se një vit, ku përfshihet dhe doktoratura në matematikë. Që prej një viti kanë nisur programet e studimit master të nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, si dhe për degët gjuhë angleze dhe italiane në Fakultetin e Edukimit. Me përfundimin e tyre, studentët përfitojnë diplomë “Master i nivelit të parë(MNP) në mësuesi” për ciklin e lartë të arsimit bazë. Programet e studimit zgjasin për një periudhë 1-vjeçare dhe realizohen me 60 kredite. Paralelisht po bëhen përpjekje për çeljen e programeve të studimit në nivel doktorature në inxhinieri navale e mekanikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›