E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet kërcënojnë bizneset: “Paguani taksat ose do t’iu publikojmë emrat si borxhlinj”



Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vendosur të publikojë për herë të parë një listë të zezë, me emrat e bizneseve që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit. Lista do të jetë zyrtare shumë shpejt dhe konfirmohet se ajo do të bëhet publike dhe në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Sipas të dhënave, deri tani janë rreth 15 biznese të mëdha (VIP), që funksionojnë në Tiranë, të cilat sfidojnë administratën tatimore, duke mos respektuar ligjet në fuqi. Gjatë një interviste dhënë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, shpjegon se detyrimet që ata kanë janë të dhëna konfidenciale, të cilat nuk do të publikohen. “Këta tatimpagues nuk pranojnë të hyjnë në negociata me ne, për të paguar detyrimet qoftë edhe me këste. Ata kanë pranuar detyrimin, por vijojnë të qëndrojnë indiferentë ndaj kësaj situate”-shprehet Papajani. Publikimi i emrave është një detyrim i cili është i parashikuar në ligjin e ri “Për procedurat tatimore”. Bëhet fjalë, jo për biznese borxhlinj të krijuar në vite, por për tatimpagues që hezitojnë të paguajnë gjatë vitit 2008. Një vit më parë qeveria miratoi ligjin për faljen e kamat-vonesave dhe gjobave për ato biznese të cilat rezultonin debitorë që nga viti 1992, në tatime dhe dogana. Por ky ligj nuk pati rezultatin e pritur pasi falja e shumave do të bëhej efektive, në rast se biznesi do të paguante detyrimin, por kjo e fundit nuk ndodhi. Lidhur me këtë çështje, drejtori i Tatimeve Papajani, pohoi se administrata që ai drejton nuk është prekur nga efektet e krizës, apo nga zgjedhjet elektorale, pasi presionet për të arritur objektivat kanë qenë maksimale. “Kemi pasur mbështetjen por edhe presionin e zyrtarëve të Ministrisë së Financave, që në rast mos realizimi të planit do të vihej në pikëpyetje edhe vijimi i punës për punonjësit e kësaj administrate”-shpjegon Papajani. Megjithatë, ai pranon se ulja me 5 për qind e sigurimeve shoqërore për punëdhënësit ka sjellë të ardhura minus në tatime. Janë rreth 450 milionë lekë të cilat mungojnë në tatime, të cilat, sipas Papajanit, janë efekt i uljes së kontributeve shoqërore. Aktualisht Ministria e Financave po rishikon planin e të ardhurave duke përfshirë edhe efektin negativë prej 450 milionë lekësh. Ecuria e mbledhjes së taksave në tatime ka qenë pozitive, si 6-mujor dhe parashikimet edhe për muajin gusht janë optimiste. Ajo çfarë shikohet me dyshim është situata pas mbylljes së sezonit turistik, kur biznesi t’i rikthehet aktivitetit normal për të parë, sa do të jetë ritmi i mbledhjes së taksave.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›