E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore rrit fondet për Euro-Azinë për shkak të krizës



Banka Botërore ka rritur fondet për Europën dhe Azinë Qendrore gjatë vitit fiscal 2009, pikërisht në kohën kur ndodhemi në një recesion global për shkak të krizës financiare. Burimet zyrtare të këtij i institucioni me qendër në Uashington pohuan dy ditë më parë se do të jepen në mbështetje të vendeve dhe biznesit privat në Europë dhe Azinë Qendrore rreth 12.5 miliardë dollarë. Sipas tyre, ka një rritje në masën 58 përqind gjatë këtij viti në krahasim me periudhat e kaluara dhe kjo ndodh për shkak të ndikimeve të krizës. Sipas zëvendëspresidentit të Bankës, Shigeo Katsu, “pas një 10-vjeçari rritje të kënaqshme dhe ulje të varfërisë, Europa dhe Azia Qendrore janë goditur nga kriza ekonomike botërore”. E gjithë paketa e ndihmës prej 12.5 miliardë është ofruar nga agjencitë e bankës: IBRD, IDA, IFC dhe MIGA. Gjatë këtij viti fiskal Shqipëria ka përfituar një shumë prej 78 milionë dollarësh që shërben si garanci risku për procesin e privatizimit të OSSH-së tek “Cez Group”. Ndërkaq, vendet e tjera të këtyre dy kontinenteve kanë përfituar paketa të konsiderueshme ndihme për të kapërcyer pengesat e krizës ekonomike botërore. Qeveria shqiptare deri më tani nuk ka pranuar pasojat e rënda të krizës mbi ekonominë shqiptare, dhe për pasojë, nuk ka kërkuar as paketa ndihmash, apo kredish me terma të buta tek bankat, shtetet apo institucionet financiare ndërkombëtare.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›