Burgu i grave, të dënuarat që përfitojnë leje
Tiranë - Burgu i grave organizoi dje një aktivitet kulturor me rastin e festës së 8 Marsit. Në këtë institucion vuajnë dënimin 102 gra, të dënuara për vepra të ndryshme penale, 47 prej të cilave të dënuara për “vrasje”, disa të dënuara për “drogë”, “mashtrim”. “Ky institucioni realisht ka mbipopullim, i cili cenon disi cilësinë e jetesës", - ka treguar drejtoresha Irena Çelaj, sipas së cilës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë të gjitha masat për të krijuar kushte sa më të favorshme për të dënuarat, duke filluar që nga cilësia e ushqimit, mundësia për t’u përgatitur për të ardhmen, pas përfundimit të dënimit, nëpërmjet kurseve të ndryshme. “Institucioni ynë, - tha Çelaj, - është ndër institucionet që zhvillon aktivitete të shumta, kurse profesionale, në bashkëpunim me shoqata partnere të institucionit, si kurse parukerie, kompjuteri, rrobaqepësie". Në këtë institucion vuan dënimin edhe një nënë me një fëmijë të vogël, të cilit i janë krijuar të gjitha kushtet e nevojshme në ambientet e çerdhes brenda këtij institucioni. Në kuadrin e projektit “Prindërimi në distancë”, për të ruajtur lidhjet e nënave më fëmijët e tyre, punonjësi social i institucionit, nëpërmjet kontakteve të rregullta me punonjësit social të Shtëpisë së Fëmijës, sipas një grafiku të caktuar, dërgon nënat që vuajnë dënimin për të vizituar fëmijët e tyre në ambientet ku ata jetojnë aktualisht. Sipas drejtoreshës, për të respektuar të drejtat e të dënuarave, me to ka kontakte të përditshme, për të drejtat dhe pakënaqësitë që ato mund të kenë. “Me kërkesë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, - thotë ajo, - institucioni ka dërguar një sërë informacionesh për plotësimin e dosjeve në Presidencë për dhënien e amnistisë, për të cilën ky institucion është në pritje të dekretit të presidentit”. Për gratë që i plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme aplikohen leje deri në dy javë për të vajtur pranë familjeve të tyre, që sipas Çelës, vetëm muajin e kaluar janë dërguar me leje 10 gra, ndërkohë këtë muaj 15 prej të dënuarave do të shkojnë me leje pranë familjeve të tyre. Kjo mënyrë aplikimi, thotë drejtoresha e institucionit, u jepet të dënuarave për sjelljen e mirë që ato tregojnë në ambientet e institucionit si dhe për t’i bërë ato të reflektojnë për veprat penale që kanë kryer.
Alibeaj në Itali, 50 shqiptarë kërkojnë të vuajnë dënimin në Shqipëri
Tiranë - Nisin procedurat e para nga shqiptarët e dënuar nga Drejtësia italiane për të vuajtur dënimin në vendlindje. Lajmi bëhet i ditur pas mbarimit të vizitës së ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj në shtetin fqinj. Burime pranë kësaj ministrie shpjeguan dje për gazetën “Albania” se një numër i konsideruar, mbi 50 raste të shqiptarëve që vuajnë dënimin në Itali, kanë njohur fillimin e procedimit të ekzekutimit. “Ka kaluar faza e njohjes së vendimit dhe jemi thjesht në fazën e ekzekutimit të tyre. Kjo sepse tashmë në Shqipëri ekziston mundësia, me ndërtimin e burgjeve të reja, që të mund të operojmë me transferimin e tyre nga Italia”, - ka thënë ministri. Më tej ai është shprehur për fatin e ekzekutimit të vendimeve penale italiane në Shqipëri, duke theksuar se “pothuajse të gjitha kërkesat e bëra nga shteti italian janë në fazën e zbatimit dhe vazhdojnë procedurat gjyqësore të njohjes së këtyre vendimeve", - ndërsa shprehu vullnetin politik të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar. Nga ana e tij, ministri italian i Drejtësisë, Anxhelino Alfano, tha se ishte i gatshëm për ngritjen e një grupi pune mes dy institucioneve, që do të bënte të mundur shkurtimin e procedurave të transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali, propozim që u mirëprit edhe nga ministri Alibeaj. Ministri italian u shpreh optimist për rezultatet pozitive në bashkëpunimin dypalësh, të cilat, sipas tij, do të rriten edhe me ratifikimin në një kohë sa më të afërt nga ana e Parlamentit italian të Marrëveshjes shtesë të Konventës Europiane të ekstradimit dhe Konventës Europiane për ndihmë të ndërsjellë gjyqësore në fushën penale, që synon të lehtësojë zbatimin e tyre, miratuar tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Vodhi tel elektrik, arrestohet nga policia e Durrësit
Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar 27-vjeçarin Mirjan Hasanpapa, lindur në Tropojë dhe banues në Shkozet, pasi u kap në flagrancë me një sasi prej 1500 metrash tel elektrik, të cilën e kishte vjedhur në Lagjen 14 në Shkozet. Si pasojë e kësaj, 20 familje të zonës kanë mbetur pa energji elektrike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia prej 1500 metrash kabllo elektrik 8 mm, si dhe një automjet tip “Ford Eskort” me targë DR 1193 A, të cilën autori e kishte pa dokumente pronësie. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
9 Mars 2009