E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i Pangos, në Tatime nuk gjenden deklarime mbi xhiron

Ndonëse kryen aktivitet tregtar, ky institut nuk është regjistruar si i tillë në QKR. Pango e regjistroi në formë OJF-je, por aktiviteti nuk ka bërë deklarata tatimore

Habjon Hasani

Tiranë - Instituti privat i Ylli Pangos (ISP), të cilin ai e ka kaluar në emër të mbesës së vet, nuk “gjendet” askund në deklarimet zyrtare tatimore. “Albania” është interesuar pranë organit kompetent të pagimit të tatim-taksave ndërsa ekspertë të këtij institucioni pasi kanë bërë kërkim në regjistrin e tyre kanë kthyer përgjigje negative lidhur mbi mundësinë e pagimit nga ana e këtij instituti të detyrimeve mbi aktivitetin që ai zhvillon. Madje, emri i këtij instituti nuk figuron në listën zyrtare të tatimpaguesve, të paktën me emrin që vetë zoti Pango përmendi për këtë institut(për Studimet Sociologjike dhe Psikologjike). Nga ana tjetër duket se ndonëse me një aktivitet disavjeçar dhe shumë fitimprurës, ky institut ka punuar në hije dhe në mungesë të plotë të vëmendjes së organeve tatimore shqiptare. Procedurat tatimore të rishikuara në vitin 2006 parashikonin që edhe institutet private të tatoheshin për fitimin që prodhonin gjatë aktiviteteve të tyre, ndërsa të paktën nga konfirmimi paraprak që i erdhi gazetës nga Drejtoria e Tatimeve rezulton se ky institut nuk i është nënshtruar kësaj ligjësie.
OJF
Duket se ministri i shkarkuar Yli Pango e ka regjistruar institutin e tij në formë OJF-je, ndërsa qeveria shqiptare në fillim të muajit shkurt ndërmori një seri nismash që parashikonin financime nga buxheti shtetëror për OJF-të. Organizatat jofitimprurëse së shpejti do të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Këtë e parashikon projektligji i fundit i qeverisë për ngritjen e agjencisë për mbështetjen e shoqërisë civile. Në këtë projektligj parashikohet miratimi i një fondi të veçantë në buxhetin e shtetit, i cili do t’u shpërndahet OJF-ve nga kjo agjenci, në bazë të konkurrimit. Agjencia do të jetë e varur nga qeveria. Depozitimi në Kuvend i këtij projektligji vetëm 5 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare duket se fsheh përpjekjen e qeverisë për të blerë dhe një ndër “zërat” e pavarur të shoqërisë, siç janë organizatat jofitimprurëse. Në projektligj parashikohet që agjencia do të drejtohet nga një bord mbikëqyrës dhe nga një trupë ekzekutive e përfaqësuar nga drejtori Ekzekutiv. Bordi do të përbëhet nga 9 anëtarë, që zgjidhen nga Këshilli i Ministrave me mandat 4-5-vjeçar, pesë prej të cilëve do të jenë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe 4 përfaqësues të administratës publike. Bordi, në përputhje me strategjitë e zhvillimit të shoqërisë civile dhe në përputhje me dokumentet strategjike të qeverisë, miraton programin e granteve. Punonjësit ekzekutivë menaxhojnë grantet duke filluar që nga mënyra e ndarjes së tyre deri te monitorimi i zbatimit të projekteve të organizatave joqeveritare.
Pango
Nëse ka diçka të sigurt në telenovelën “Pango” është fakti se deklarata e tij pasurore nuk ka asgjë të përbashkët me deklarimet e tij në filmim (të shfaqur të enjten në “Top Story”), ku Pango pretendoi se nëpërmjet këtij instituti merrte projekte prej qindra mijëra eurosh. Në deklaratën e tij të zbardhjes së pasurisë, Pango ka nënshkruar një rezervë monetare prej 2 milionë lekësh, të ardhurat nga rroga 2 milionë e 500 mijë lekë në vit, si dhe të ardhurat nga shitja e librave (rreth 750 mijë lekë). Instituti nuk gjendet gjëkundi në këtë deklaratë. Nuk figuron fare. Por të paktën nëse u referohesh filmimeve, del se ministri ka dhënë vetë një version jozyrtar dhe informal mbi marrëdhëniet e tij me këtë institut. Në këto filmime, zoti Pango i ka deklaruar “punëkërkueses” se donte ta punësonte edhe në Institut, edhe në Ministri. Sipas ish-ministrit, ai ua rezervonte këto lloj punësimesh vetëm të besuarve të vet. Pango ka pretenduar në bisedë se këtë institut e kishte kaluar në emër të mbesës së vet. Drejtuesja e Institutit, zonja Suela Kusi, figuron edhe drejtoreshë e Projekteve në Ministrinë e tij, por edhe pedagoge në Shkencat Sociale. Pra, duket qartë se ministri, ndërsa ka pranuar pronësinë “de facto” mbi një institut (që sipas tij thithte qindra mijëra euro donacione nga projektet), vërteton se edhe drejtoresha e tij e projekteve në këtë ministri punon për llogari të këtij instituti.

Dëshmia e Pangos për fshehjen e fitimeve nga Instituti

“Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit. Plus, meqenëse ministrat shkojnë e vijnë, koniunkturat ndryshojnë, unë nuk kam ndër mend të ndryshoj, por për çdo rast lëviz andej, në ndonjë ministri tjetër... nesër, pasnesër... Kuptohet, pas zgjedhjeve, se në këto zgjedhje, deri në shtator, ne këtu jemi. Unë kam një institut dhe po të kishe ardhur do të të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn gjen 7 botime, libra, botime të Institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit... dhe ky institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Europian, UNDP... dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz. Njërën prej këtyre, që ka punuar në Institut, unë e kam drejtoreshë këtu, edhe e kam nga më të mirat... Është Suela Kusi. Është dhe një tjetër që merret, një Nardi, Nardi. Dhe ç‘kam bërë? Kam kombinuar që njerëzit më të besuar t‘i kem dhe në Ministri, t‘i kem edhe në Institut. Meqë unë jam në Ministri, quhet konflikt interesi, prandaj them që janë ca gjëra që me dash keq... prandaj doja të flisja në konfidencë. Institutin ia kam kaluar mbesës sime, që ta komandojë ajo si emër, por ndërkohë këta njerëz vazhdojnë të punojnë dhe marrin projekte. Duke u angazhuar edhe ti në këtë ekip, e para, këtu e mbaje variantin; e dyta, siguroje edhe një të ardhur tjetër atje, që ishte goxha, ndërkohë që isha edhe unë në plotësimin e stafit”.

Nisma e qeverisë futi OJF-të në bilancet e buxhetit shtetëror

Në ligjin e ri të qeverisë për OJF-të thuhet se përfituese të fondeve do të jenë organizatat e shoqërisë civile, të cilat janë të regjistruara dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të një statuti dhe që janë aktive gjatë vitit fiskal. Përjashtim bëjnë partitë politike, sindikatat, institucionet fetare, organizatat politike, si dhe organizatat me dobi publike, që përfitojnë fonde publike. Organizatat, për të fituar grante nga agjencia shtetërore, duhet të konkurrojnë me projektet e tyre. Projektet duhet të përmbajnë të dhëna për qëllimin e tyre, objektivat specifike, veprimtaritë, buxhetin dhe rezultatet e synuara. Pasi depozitohen, projektpropozimet vlerësohen në bazë të përputhshmërisë së tyre me qëllimet e programit për të cilin janë propozuar. Vlerësohet gjithashtu aftësia e kandidatit dhe efektshmëria e veprimtarive përsa u përket rezultateve dhe kostove. Pasi shqyrtohen të gjitha këto kritere, bordi mbikëqyrës miraton kontratën për shpërndarjen e fondeve. Autoriteti financues nuk e bën pagesën përpara vlerësimit të raportit përfundimtar të veprimtarisë dhe bilancit financiar. Çdo projekt i financuar do të monitorohet nga autoriteti financues për zbatimin e veprimtarisë së deklaruar në projekt. Autoriteti financues ka të drejtë që, përveç projektit, të kërkojë informacione shtesë nga kërkuesi i fondit si gjatë zbatimit të kontratës, ashtu edhe pas vlerësimit të raportit përfundimtar. Pra, në projektligj parashikohet qartë se qeveria, nëpërmjet agjencisë që kërkon të krijojë, do të kontrollojë të gjithë veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse që do të kërkojnë të marrin fonde nga buxheti i shtetit. Ky kontroll cenon hapur aktivitetin e organizatave, pjesë të shoqërisë civile.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›