E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja, si do të zhvillohet procesi i votimit më 28 qershor

Të gjitha detajet e rëndësishme të miratuara në Kod dhe nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Risitë e votimit do të jenë kamerat, fletët e votimit dhe roli i komisionerëve

Shaban Sulçe

Nenet e Kodit Zgjedhor, të miratuara në fund të vitit të kaluar, si dhe vendimet më të fundit të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë përcaktuar pikat kryesore si dhe detajet e rëndësishme se si do të zhvillohet procesi i votimit në zgjedhjet e 28 qershorit. Risitë e këtij procesi kanë të bëjnë me fletët e votimit, me numrin e komisionerëve, me kamerat që do të vëzhgojnë numërimin e votave, si dhe me përmbajtjen e fletës së votimit. Këto ndryshime pritet të ndikojnë në përmirësimin e procesit zgjedhor, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të zhvilluara në Shqipëri.
Komisionerët
Në Kodin Zgjedhor ka patur riformulim të përbërjes së komisioneve, që do të jetë sipas formulës 3+3+1, ku nga dy komisionerë do të kenë secila nga partitë e mëdha, PS e PD, ndërsa nga një komisioner do të ketë PSD-ja dhe PR-ja. Gjithsesi, komisionerët do të kenë autoritet të kujdesen vetëm për mbarëvajtjen e procesit të votimit, pasi numërimi i votave do të bëhet nga Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve dhe nga grupet e numërimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një nga mbledhjet e fundit të tij miratoi ngritjen e 66 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor. 528 anëtarë, përfshirë edhe sekretarët, do të përbëjnë grupet e numërimit të votave. Pas numërimit dhe vlerësimit të votave për çdo kuti me fletë votimi, numëruesi i parë numëron votat për çdo subjekt, duke filluar sipas renditjes së subjekteve në fletën e votimit. Pas çdo numërimi, shifrën ai ua bën të ditur anëtarëve të grupit të numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Nëse kërkohet nga ndonjë anëtar i grupit të numërimit, numëruesi i parë është i detyruar të rifillojë edhe një herë numërimin e votave për atë kandidat. Tabela origjinale e rezultatit të votimit, duke përfshirë edhe kundërshtimet, i dorëzohet menjëherë dorazi KZAZ-së nga grupi i numërimit. Ndërkohë KQZ-ja në mbledhjen e saj ka vendosur që votat për partitë politike të paketohen në zarfe të posaçme. KQZ-ja kërkon nga grupi i numërimit të votave që të paketojë në zarfe të veçanta votat e secilit subjekt politik, duke zbatuar kështu edhe një detyrim të ri ligjor që përcakton Kodi Zgjedhor. Një gjë e tillë ndërmerret për të shmangur problemet me votat e partive politike, të cilat kanë kontestuar mënyrën e procesit të votimit. Kjo nismë mendohet të lehtësojë disi procesin zgjedhor dhe çështjen e ankimimeve.

Kamerat

Në Kod parashikohet që qendrat e numërimit të votave të jenë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme logjistike, përfshirë edhe ndriçimin e pandërprerë për të siguruar një proces korrekt të numërimit të votave. Në këto salla do të vendosen tryeza pune për çdo grup numërimi, të cilat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për kryerjen e procesit të numërimit të votave. Tryezat do të vendosen në një mënyrë të tillë që të jenë të shikueshme nga anëtarët e KZAZ-së, nga vëzhguesit, kandidatët dhe përfaqësuesit e medias. Në sallat e numërimit të votave, KQZ-ja vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Regjistrimi filmik i procesit ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore.

Fletët e votimit

Siç dihet, në zgjedhjet e 28 qershorit do të votohet vetëm me një fletë votimi. Vota që do t’i jepet një partie do t’i llogaritet koalicionit brenda së cilës ajo kandidon, ndërkohë që kjo votë do t’i njihet partisë në garën brenda koalicionit për shpërndarjen e mandateve të fituara. Fleta e votimit do të përmbajë të renditura sipas alfabetit koalicionet që do të konkurrojnë. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor renditen sipas rendit alfabetik njëra pas tjetrës, në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Për secilën nga partitë politike të koalicionit shënohen emri i partisë, sigla, shkronjat nistore
dhe emri i kryetarit të partisë. Fletët e votimit për zgjedhjet do të përgatiten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, ato do të jenë prej letre me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Gjithashtu fleta e votimit duhet të përmbajë elemente sigurie, për të mos lejuar falsifikimin e tyre. Fletët e votimit prodhohen në blloqe me kundërfletë dhe numri i serisë shënohet vetëm në kundërfletë.

Numri i mandateve të deputetëve në qarqe

Tiranë 32
Fier 16
Vlorë 12
Elbasan 14
Korçë 12
Berat 8
Dibër 6
Durrës 13
Gjirokastër 5
Kukës 4
Lezhë 7
Shkodër 11

Katër koalicionet e zgjedhjeve të 28 qershorit

Koalicioni i PD-së
Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokrate e Re, Lëvizja e Legalitetit, Partia Aleanca Demokratike, Partia Lidhja Demokristiane

Koalicioni i PS—së
Partia Socialiste, Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia G99

Koalicioni i LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste ’91, Partia e Gjelbër

Koalicioni “Poli i lirisë”

Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Ligj dhe Drejtësi.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›