E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shqiptarit, rezultonte i varfër në Itali dhe i pasur në Shqipëri



TORINO- Shtihej sikur ishte i varfër për të marrë asistencën sociale që shteti italian ia siguronte, por në të vërtetë emigranti 40 vjeçar Alfred Tafa ishte një trafikant i pasur i kokainës, shkruanin dje mediat italiane. Në zbulimin e mashtrimit mësohet se kanë qenë karabinierët e provincës së Torinos të cilët kanë arrestuar 40 -vjeçarin së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë Arben Tako dhe Kujtim Ukthaçi, përkatësisht 41 dhe 42 vjeç. Pas verifikimeve policia ka zbuluar se Alfred Tafa kishte një llogari bankare e cila arrinte në 100 mijë euro. Pas përgjimeve të telefonatave është zbuluar se 40 -vjeçari ishte pronar i një vile në Shqipëri në vlerë rreth 200 mijë euro. Media italiane shkruajnë se Alfred Tafa ditën hiqej si i varfër ndërsa natën kryente aktivitetin e shpërndarjes së lëndës narkotike. Hetimet e policisë italiane zgjatën 7 muaj dhe karabinierët sekuestruan 250 gramë kokainë të pastër 90 për qind si dhe u arrestuan dy italianë që furnizoheshin nga shqiptari.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›