E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Efektet e krizës do prekin dhe Shqipërinë”

 

“Efektet e krizës ekonomike do të prekin edhe Shqipërinë”. Këtë deklaratë bëri dje drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Evropën Juglindore, Mark Levin, gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, si pjesë e traktatit të Versajës, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Sipas Levin duhet të nxiten eksportet, ndërkohë që “ILO” dhe organizmat përkatës do të rishikojnë skemën e kredisë për ekonomitë e vogla dhe të mesme. Ai shtoi se duhet të përkrahen politikat për rritjen e vendeve të punës si dhe qeveria shqiptare duhet të marrë masa të posaçme, për të përballuar çdo efekt të mundshëm të saj. “Të gjitha vendet janë të rrezikuara nga efektet e krizës. Ka shumë tregues që bëjnë vlerësimin e krizës. Në rastin e Shqipërisë është çështja e eksporteve. Nëse vihet re mbyllje e tyre, në vend do të ketë mbyllje njësish ekonomike, çka do të sjellë rritje papunësie. Një tregues tjetër është ajo e volumit të parave të emigrantëve, në rastin e vendit tuaj ulja e tyre do të shkaktonte probleme”, tha Levin. I pranishëm në takimin e djeshëm, kreu i shtetit, Bamir Topi, tha se në kushtet e një krize globale duhet të rishikohet strategjia për punësimin e të rinjve, të mbështeten fasonistët. E veç tyre duhet ngritur një dialog social, ku një rol të rëndësishëm të luajë dhe Këshilli Kombëtar i Punës. “Përballimi për efekte të mundshme të krizës kërkon rishikimin e strategjisë ose masave të punësimit të rinisë, të grave, veçanërisht në zonat periferike të qyteteve të mëdha, duke i kushtuar rëndësi të veçantë nxitjes së eksporteve, sidomos industrive me fason, që punësojnë një numër tejet të konsiderueshëm grash dhe vajzash nga familje me të ardhura të pakta, që preken nga papunësia dhe ulja e dërgesës së parave nga emigracioni”, tha Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›