E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i jep leje,arratiset nga qelia dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit

 

LEZHE / TIRANE

Arratiset nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, Petrit Çakrri, një nga dëshmitarët e vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. I dënuari me dy burgime, nga gjashtë vjet burg secili, për vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe mashtrim, ka realizuar një skenar të pazakontë arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit. Rreth orës 13:00 të 15 janarit 2009, në mënyrë krejt normale, madje i shoqëruar nga personeli, Petrit Çakrri ka dalë nga burgu i Shën-Kollit. Largimi i tij nuk ngjante aspak me një arratisje ndërsa 39-vjeçari, i konsideruar dëshmitar në dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, drejtohej për në shtëpinë e tij sapo kishte dalë nga qelitë e Lezhës. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime zyrtare të burgjeve, sipas të cilave Petrit Çakrri kishte përfituar leje për dalje të përkohshme nga burgu dhe qëndrim në shtëpi për t'u rikthyer më pas në burg. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Çakrri duhej të rikthehej në qeli në ora 15:00 të 22 janarit 2009, kohë në të cilën ai nuk është dukur të kthehej në burgun ku vuante dënimin. Mosparaqitja e tij ka alarmuar personelin e burgut të Shën-Kollit dhe autoritetet qendrore të burgjeve, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm Gazmend Dibra, konfirmoi dje publikisht arratisjen e dëshmitarit të ngjarjes së konsideruar si "vrasja e shekullit". "I dënuari nuk është kthyer në afatin e caktuar, duke shkelur dispozita ligjore të largimit të burgosurit nga vendi i qëndrimit. Për këtë arsye, ai në bazë të nenit 323/1 të Kodit Penal mund të dënohet deri në 5 vjet heqje lirie", tha dje Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
I arratisuri
Menjëherë pas mosparaqitjes në afat të Petrit Çakrrit, pranë burgut ku vuante dënimin, autoritetet janë vënë në kërkim të tij. "Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë denoncim, duke njoftuar Policinë e Shtetit për shpalljen në kërkim të shtetasit Petrit Ramiz Çakraj", thanë burimet zyrtare, sipas të cilave policia ushtroi menjëherë kontroll në banesën e Petrit Çakrrit por ai nuk u gjet në shtëpi. Nga burime zyrtare të policisë mësohet se është bërë shpallja në kërkim e 39-vjeçarit, për të cilin shërbimet e rendit janë vënë në ndjekje. Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra, lëshoi akuza duke thënë se Çakrri kishte përfituar leje sipas ligjit dhe rregullores, por policia e shtetit duhej ta monitoronte atë në shtëpi gjatë kryerjes së lejes së përkohshme, çka në fakt duket se nuk ka ndodhur, duke i dhënë të dënuarit mundësi largimi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, tha se Petrit Çakrri kishte përfituar edhe herë të tjera leje për dalje të përkohshme nga burgu dhe ishte kthyer sipas rregullave në qeli brenda afatit të caktuar.
Misteri i Çakrrit
Nga arratia, 39-vjeçari Petrit Çakrri tha dje në linjë telefonike me "Neës 24" se, kishte vendosur të largohej nga burgu pasi po e mbanin padrejtësisht aty. "Jam arratisur në orën 12:00 dhe nuk dorëzohem gjallë se e kam mbaruar burgun", ka thënë Petrit Cakrri, duke pretenduar se ka kryer dënimet e vendosura ndaj tij nga drejtësia. Deklarata e Çakrrit shkaktoi menjëherë reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila me një komunikatë zyrtare, pohoi se "sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit rezulton se i dënuari Petrit Çakrri, duhet të vuajë edhe 1 vit e 4 muaj heqje lirie, pavarësisht pretendimeve të tij për përfundim të dënimit". Policia e cila është vënë në kërkim të personit të arratisur tha se fotografitë e Petrit Çakrrit janë shpërndarë në pikat e kalimit kufitar, ku është kërkuar të bëhet ndalimi i tij ndërsa ka dyshime se para lajmërimit të policisë kufitare, 39-vjeçari të ketë ikur në drejtim të Kosovës. Dy raste të ngjashme, me ikje të të dënuarve që morën leje, ndodhën edhe në vitet 2003 dhe 2004 çka në fakt u bë shkak për ashpërsimin e regjimit të dhënies së lejeve për personat që mbahen të burgosur.                        r.n/t.s

Rrëfimi i Çakrrit për vrasjen e Hajdarit dhe rrengu në burg

TIRANE - Petrit Çakrri, i cili është bërë i njohur pasi u konsiderua si dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit, po vuante dënimin për "vjedhjen me anë të mashtrimit", të një shoku të burgut të tij në Tiranë. Çakrri është akuzuar se i ka grabitur me anë të mashtrimit 20 mijë dollarë të dënuarit me 20 vjet heqje lirie, Fatmir Kallashi. Ky i fundit, sipas të njëjtave burimeve, ka qenë në të njëjtën dhomë me Petrit Çakrrin, në burgun "Mine Peza" (302). Duke luajtur brenda qelisë dy të pandehurit. Çakrri në bisedë e sipër i ka premtuar se do ta lironte nga burgu Kallashin, nëse do të paguante shumën prej 20 mijë dollarësh. Fatmir Kallashi ka pranuar të bashkëpunojë me Çakrrin, në këmbim të lirisë së shumëkërkuar. Çakrri kishte dërguar letër tek Avokati i Popullit dhe ka zhvilluar dy greva urie, duke kërkuar lirimin nga burgu. Ai ka dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit duke pohuar se "ka qenë i ulur 4 metra larg vendngjarjes, në lokalin e quajtur "Hanover" tek ish-hotel Drini. Pashë Azem Hajdarin të dilte i veshur me pardesynë e bardhë dhe pas tij truprojat Zenel Neza dhe Besim Çerja. Pasi u afrua në vendin ku isha ulur, pashë që drejt tij në takim po lëvizte Izet Haxhia. U takuan dhe shkëmbyen pak fjalë. Ndërkohë pashë dyert e makinave që ishin të parkuara aty pranë të hapeshin dhe prej andej të dilnin Fatmir Haklaj, Jaho Salihi dhe krutani Naim Çangu. Gjithçka nuk zgjati më shumë se 2 minuta. Ndodhi një zënkë dhe kërcitën armët", ka thënë Çakrri në dëshminë e tij. Unë isha nga të parët që u afrova te trupat pa jetë".             r.n

Në burgun e Vaqarit, 13 persona flenë në dysheme

Armand Bajrami

Të burgosurit në qelitë e Vaqarit vuajnë dënimet e tyre në qeli të mbipopulluara dhe në kushte të papërshtatshme jetese. Lajmi bëhet i ditur nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka kryer një inspektim në këtë institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, ku strehohen 166 të dënuar, 13 prej të cilëve të mitur. Inspektimi i bërë nga inspektorët e AP-së në ditët e fundit të vitit 2008 ka nxjerrë në pah gjithë vështirësitë me të cilat përballën çdo ditë personat, që vuajnë dënimin e tyre në këtë burg. Në përfundim të inspektimit Avokati i Popullit i ka dërguar një shkresë zyrtare drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe drejtorit të Burgut Vaqar, ku rekomandon hapjen e qendrës penitenciare për të miturit në Kavajë, si zgjidhje përfundimtare të problemit të mbipopullimit në Vaqar.
PROBLEMATIKA
Mbipopullimi është vlerësuar nga përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, si një nga problemet më të rëndësishme në burgun e Vaqarit. Inspektimi ka evidentuar se 13 vetë flinin në tokë, si edhe të dënuar që vuanin dënimin në dhomat e izolimit. “Në këtë seksion 13 veta flinin në tokë. Madje, kishte të dënuar që ishin strehuar në dhomat e izolimit në pamundësi sistemimi. Këto dhoma ishin të përmasave 2x2 m2 dhe flinin 3 të dënuar”, thuhej në rekomandimin e AP-së, e cila i ishte bërë me dijeni edhe ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Në gjendje amortizimi të konsiderueshme janë vlerësuar edhe kushtet fizike të godinës. Sipas inspektimit të AP-së mësohet se dhomat ishin të ftohta, me sistem elektrik të dëmtuar si dhe me lagështirë. Ndërsa në një dhomë të seksionit të së miturve është konstatuar mungesa e dritares, çka i lë të burgosurit në kushte atmosferike të stinës. Çmimet e larta të kartave telefonike dhe të disa produkteve ushqimore për të burgosurit kanë qenë disa nga problemet e evidentuara në burgun e Vaqarit. “Nuk ishte marrë asnjë masë për të eliminuar këtë fenomen spekulativ në dëm të së dënuarve”, bëhej e ditur nga AP. Gjithashtu, në kontaktet me të dënuarit, inspektorëve të AP-së u bë e ditur edhe mungesa e ofrimit të një larmie asortimentesh ushqimore nga gatimet e kuzhinës së burgut. “Të dënuarit u ankuan se shpeshherë vaktet ushqimore servireshin të njëjta në përmbajtje”, citohej në raport.
REKOMANDIMET
Pas evidentimit të problemeve në Burgun e Vaqarit institucioni i Avokatit të Popullit rekomandoi për institucionet përgjegjëse hapjen e një qendre për vuajtjen e dënimit nga të miturit në Kavajë. Sipas AP-së, “një veprim që do të ulë menjëherë mbipopullimin në burgun e Vaqarit”. Gjithashtu, si masë e menjëhershme për t’u marrë është rekomanduar “rikonstruksioni i disa ambienteve të këtij burgu, për të eliminuar lagështirën, si dhe për të mundësuar një ngrohje normale të së dënuarve”. Ndër të tjera institucioni i AP-së ka rekomanduar edhe eliminimin e rasteve të spekulimit në çmimet e produkteve që iu ofrohen të dënuarve, si edhe shtimin e shumëllojshmërisë së ushqimit të tyre.

Vëzhgimi: Nuk ka dhunë
Inspektorët e AP-së, kanë vlerësuar faktin që në burgun e Vaqarit mungojnë denoncimet për raste të dhunës. Gjatë kontakteve që ata kanë pasur me vetë të dënuarit, kanë vënë re klimën e mirë të marrëdhënieve, që ekzistonte midis të dënuarve dhe administratës së burgut. Gjithashtu, pozitiv është parë edhe bashkëpunimi dhe gatishmëria e treguar nga administrata për AP-në.

Higjiena brenda në burg
Ndërsa kanë evidentuar mangësi të theksuara në kushtet fizike të godinës, përfaqësuesit e AP janë përballur me një higjienë të cilësuar “të pranueshme”. Ky nivel higjiene u vërejt në ambientet e dhomave dhe të ambienteve të përbashkëta, si edhe në ambientet e kuzhinës së burgut.

“Burgjet, Shqipëria po bën përparim”

TIRANE – Një raport i fundit i Komisionit Evropian verën se gjendja në sistemin shqiptar të burgjeve dhe paraburgimit ka ardhur në përmirësim. Raporti është bërë publik këtë javë, ndërsa thekson se përmirësimi i gjendjes nga monitorimi i fundit në vitin 2005, është i dukshëm. Raporti vëren se gjendja në ambientet e burgjeve dhe paraburgimeve ka ardhur në përmirësim përfshi këtu infrastrukturën, si dhe nivelin e higjienës. Po kështu në raport është shprehur se edhe personeli i burgjeve por edhe policia, kanë bërë përparim në drejtim të trajtimit të shtetasve dhe respektimit të së drejtave të njeriut. Vëzhguesit e KE-së theksojnë në raportin e tyre se Shqipëria po bën vitet e fundit një sërë investimesh në riparimin e ambienteve aktuale, si dhe në ndërtimin e ambienteve të reja të paraburgimeve. “Gjendja në burgjet dhe paraburgimet Shqiptare nuk është si më parë”, thekson më tej raporti, i cili vëren se edhe trajnimi dhe përgatitja e punonjësve shtetërorë për të njohur dhe zbatuar të drejtat e të ndaluarve dhe të burgosurve ka ardhur në përmirësim. Në vitin 2005, vëzhguesit e Komisionit Evropian patën shprehur kritika të forta dhe akuza për gjendjen e rëndë, në të cilën u gjetën atëherë burgjet dhe par-aburgimet gjatë vëzhgimeve që kryen specialistët ndërkombëtarë. Për vitin 2008 është vlerësuar edhe bashkëpunimi i hapur, që hartuesit e raportit patën me administratën qendrore shqiptare.                   tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›