E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Meta firmos me kompaninë amerikane

 

Aristir Lumezi

LSI kontrakton “Greenberg Quinlan Rosner” për fushatën zgjedhore. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka takuar dje drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë prestigjioze amerikane, Stan Greenberg dhe kanë rënë dakord të bashkëpunojnë mes tyre për fushatën dhe zgjedhjet e qershorit në Shqipëri. Sipas drejtorit të Informacionit të LSI-së, Dritan Ylli, “Meta dhe Greenberg ranë dakord që kjo kompani të hartojë strategjinë e fushatës së kësaj partie, por dhe strategjinë e ruajtjes së votës dhe eliminimin e vjedhjes së saj”. Sipas Yllit, Greenberg do të vijë në Tiranë në muajin shkurt, ku do të formalizohet dhe marrëveshja mes kësaj kompanie dhe LSI-së. Në faqen e saj elektronike, “Greenberg Quinlan Rosner” ka një historik mjaft të pasur angazhimesh dhe rezultatesh në fushatat zgjedhore, ekspertizat elektorale, por dhe në fusha të ndryshme konsulence të kompanive multinacionale në mbarë botën. Lista e gjatë e partive dhe e kandidatëve VIP të politikës botërore të mbështetura nga kjo kompani, jep garanci të plota në angazhimin e saj të parë në Shqipëri. “Për liderë progresivë dhe parti politike rreth botës që janë në kërkim të fitores elektorale dhe efikasitetit të qeverisjes, ‘Greenberg Quinlan Rosner’ ka përgjigjen e duhur”, thuhet në sloganin prezantues të kësaj kompanie. “Greenberg Quinlan Rosner” është firma e parë për konsultime strategjike në botë për liderë dhe fushata politike ndërkombëtare, që ndihmon kandidatët progresivë rreth botës të bëjnë fushatë, të fitojnë dhe të qeverisin.
Shtrirja dhe suksesi i punës së “Greenberg Quinlan Rosner” për liderë politikë progresivë ndërkombëtarë është e qartë nga rezultatet e saj: fitorja e Presidentit Bill Klinton në vitin 1992; tre fitoret e Toni Bler dhe Partisë Laburiste britanike; fitorja e vitit 1998 që zgjodhi Gerhard Shrëder; fitorja presidenciale e Nelson Mandelës dhe Thabo Mbekit; fushatat e vitit 1999 dhe 2001 të kryeministrit izraelit, Ehud Barak; fitorja e vitit 2002 e presidentit Bolivian, Gonzalo Sanchez de Lozada; fushata e suksesshme presidenciale e presidentit të Hondurasit, Mel Zelaya në vitin 2005; dhe fitorja përmbysëse e SPO-së austriake në vitin 2006. Sipas përfaqësuesve të “Greenberg Quinlan Rosner”, puna e kompanisë me liderët ndërkombëtarë dhe fushatat e tyre shtrihet në të gjitha nivelet, presidentë, parlamentarë, qeveri dhe bashkiakë. “Ne i kuptojmë dinamikat 2-partiake dhe shumëpartiake; zgjedhjet me raund të vetëm dhe me shumë raunde; sistemet e përfaqësimit proporcional dhe jo; dhe rëndësinë e dinamikave të koalicioneve. Ne besojmë në mësimin sa më tepër të jetë e mundur për vendet ku ne punojmë: njerëzit, politikën, sistemin elektoral, historinë dhe kulturën përpara se ne të fillojmë punën. Ne njohim çdo vend, çdo sistem politik dhe çdo fushatë e jona është unike”, thuhet në përshkrimin e punës së kësaj kompanie në faqen elektronike. Duke detajuar punën e saj, kompania shpjegon se “puna për liderët ndërkombëtarë nis me ekspertizën e detajuar të kërkimeve në opinion, zhvillimin e mesazhit dhe strategjinë e fushatës”. Menjëherë pas daljes nga greva e urisë së deputetëve të LSI-së për Kodin Zgjedhor, Meta deklaroi se kjo parti do angazhojë kompani të huaja eksperte, përmes së cilave do arrihet bllokimi i manipulimit të votës nga dy partitë kryesore në vend.

Fushatat e Kompanisë

    Bill Klinton në vitin 1992
    Tre fitoret e Toni Bler dhe Partisë Laburiste britanike
    Fitorja e vitit 1998 e Gerhard Shrëder
    Fitorja presidenciale e Nelson Mandelës dhe Thabo Mbekit
    Fushatat e vitit 1999 dhe 2001 të kryeministrit izraelit, Ehud Barak
    Fitorja e vitit 2002 e presidentit bolivian, Gonzalo Sanchez de Lozada
    Fushata e suksesshme presidenciale e presidentit të Hondurasit, Mel Zelaya, në vitin 2005
    Fitorja përmbysëse e socialdemokratëve austriakë në vitin 2006

Haxhinasto: Punësimi, objektivi madhor i LSI

Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto, shpalli kolonat mbi të cilat bazohet drafti i programit elektoral të kësaj partie. “Dëshiroj t’ju informoj se LSI ka përfunduar tashmë draftin e programit të saj për zgjedhjet e vitit 2009, i cili është konkludimi i një procesi të gjatë me angazhimin e strukturave të LSI-së, të specialistëve më të mirë e grupeve të interesit, si dhe vetë qytetarëve”, tha Haxhinasto. Sipas tij, propozimi i LSI-së për qytetarët shqiptarë është një model thellësisht social i zhvillimit të vendit, me qëllim që rritja ekonomike e vendit të ketë efekte të menjëhershme tek cilësia e jetës së qytetarëve, sidomos tek shtresat më në nevojë.
Duke dhënë dhe tri shtyllat kryesore të programit, Haxhinasto tha se, “punësimi është një objektiv madhor i programit të LSI-së. Ne kemi qëllimin e punësimit të plotë të shqiptarëve brenda mandatit të ardhshëm”, tha Haxhinasto. Por prioritet i programit të LSI-së është dhe lufta kundër varfërisë. “Ne do te propozojmë paketën e bonusit jetik, një paketë parash në cash, incentivash fiskale dhe politikash të tjera për të mbushur hendekun e madh që ekziston midis nivelit më të ulët të të ardhurave dhe minimumit jetik - pra të ardhurave minimale që marrin sot 1 në çdo 5 shqiptar”, tha Haxhinasto. Por në programin e saj, LSI synon edhe në “garantimin e jetës së qytetarit, që do të përmbajë në tërësinë e politikave dhe masave për të rritur sigurinë e jetës” së qytetarëve, në kushtet kur jeta e tyre është krejt e pasigurt. “Këtu përfshihen gjithë masat dhe politikat që rrisin sigurinë e jetës së qytetarëve, duke filluar me shëndetin, sigurinë ushqimore, mjedisin dhe sigurie fizike. Për arritjen e këtyre tre objektivave madhore, ne kemi zgjedhur një përqasje origjinale duke u përqendruar në riparimin dhe eliminimin e barrierave dhe pengesave, që kjo qeveri ka dështuar për t’i zgjidhur, siç janë  zbatueshmëria e ulët e ligjit, çështjet e pazgjidhura të pronësisë”, tha Haxhinasto. Duke radhitur dhe sektorët jetikë të ekonomisë së vendit, LSI përmes përfaqësuesit të saj shprehet se në këtë program “janë përcaktuar sektorët prioritare që do të garantojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe rritjen e prodhimit vendas, si energjia, bujqësia e turizmi, që do të zënë vend kryesor”. Haxhinasto tha se këtë program për zgjedhjet e vitit 2009, LSI do ta paraqesë dhe përmes një cikli konferencash e takimesh që do të organizohen në ditët në vazhdim, ku përfshihen konferenca kombëtare e bujqësisë në 27 janar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›