E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i ri, ujërat e zeza derdhen në fshatin turistik

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Banorët e Boboshticës në Korçë lëshojnë alarmin e ndonjë epidemie të mundshme si pasojë e kanalizimeve të ujërave të zeza të burgut të sigurisë së lartë. Në projektin e godinës, në të cilën vuajnë dënimin rreth 300 të burgosur, nuk janë parashikuar kanalizimet. Për pasojë, ato derdhen jashtë, duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve. Mësohet se tubacioni përfundon në një kanal të zbuluar e më pas ujërat e zeza derdhen tek ish-vaskat e peshkut. Edhe pse ka vetëm disa muaj që ka filluar funksionimi i këtij burgu, kanalizimet e saj kanë krijuar vatra të pista dhe të rrezikshme në zonën përreth. Fshati i Boboshticës me rreth 2700 banorë ka kërkuar në Komunën e Drenovës, ku bën pjesë institucioni i vuajtjes së dënimit një zgjidhje për të shmangur ndonjë epidemi të mundshme. Situata është evidente sapo lë aksin nacional Korçë–Kolonjë dhe hyn në rrugën dytësore të Boboshticës. Aty ndeshesh me ujërat e zeza (500 metra më tej ka banesa) dhe erën kundërmuese të tyre. Mësohet se këto kanalizime zbresin që nga institucioni i vuajtjes së dënimit, të cilat grumbullohen në një gropë, dikur vaskë peshku në pronësi shtetërore. Kjo vaskë septike, nga fillimi i funksionimit të burgut është mbushur dhe vazhdon të derdhet poshtë. Banorët ankohen tashmë që janë në prag të stinës së nxehtë dhe kanalet e hapura jo vetëm lëshojnë erë të keqe, por edhe rrezikojnë shëndetin e tyre. Fshati i Boboshticës është turistik dhe pret çdo vit turistë të huaj e vendas. Tani banorët ankohen se në këtë gjendje do të largohen edhe turistët. Sipas burimeve të komunës së Drenovës, projekti i ndërtimit të burgut nuk parashikonte përpunimin e ujërave të zeza, por grumbullimin e tyre në një gropë septike dhe mbjelljen e pemëve për pastrimin e ajrit. Për këtë shkak drejtuesit e komunës së Drenovës kanë takuar drejtues të burgut, ku është biseduar në lidhje me shqetësimin e banorëve. Drejtori i shërbimit veterinar në këtë komunë Nikollaq Fuqi, u shpreh se “Eshtë shqetësim shumë i madh për banorët e Boboshticës dhe për zonën turistike të saj, sepse ndotja sa vjen dhe shtohet. U kemi kërkuar drejtuesve të burgut të gjejnë një zgjidhje dhe jemi në pritje të saj. Nëse nuk vihet dorë fshati Boboshticë rrezikohet nga shpërthimi i ndonjë epidemie. Kemi vendosur që t’ju drejtohemi edhe instancave të larta të drejtësisë prej nga varet burgu”. Ndërsa inspektorati sanitar pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik mohoi të kishte dijeni për gjendjen e krijuar. Megjithatë ky inspektorat nënvizoi se nevojitet një zgjidhje urgjente mbasi çdo ditë që kalon afron verën e nxehtë dhe mundësinë e shpërthimit të ndonjë epidemie të rrezikshme për banorët e turistët e këtij fshati, por edhe për vuajtësit dhe punonjësit e burgut është evidente.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›