Punësimi në Itali, si të siguroni kontratat e punës
Zirina Llambro
Shqiptarët janë më të favorizuarit për të përfituar nga kuotat e reja të punësimit sezonal në Itali. Kjo jo vetëm për shkak të afërsisë me shtetin fqinj, por edhe sa i përket procedurave që parashikon dekreti i ri, i botuar tashmë në fletoren zyrtare. Këtë pohojnë edhe specialistë të Ministrisë së Punës. “Dekreti që parashikon punësimin stinor të 80 mijë shtetasve nga vendet jo anëtare të BE, ka si klauzolë gjetjen e një kontrate individuale pune. Çka do të thotë që punëmarrësi duhet të lidhet direkt me punëdhënësin italian për ta siguruar atë”, sqarojnë specialistët e ministrisë. Sipas tyre, punëdhënësi italian në kërkesën që bën zgjedh me emër shtetasin e huaj duke e njohur personalisht apo me rekomandime të të njohurve dhe të afërmve. “Në Itali zyrtarisht numërohen rreth 400 mijë emigrantë, çka lehtëson krijimin e këtij kontakti mbi bazën e njohjeve apo duke i rekomanduar punëdhënësve të afërm të tyre. Ata mund të bëhen fare mirë ura lidhëse në mënyrë që nga kuotat e vendosura të përfitojnë sa më shumë shtetas nga Shqipëria”, nënvizojnë specialistë të Ministrisë së Punës. Një tjetër mundësi për t’u punësuar në Itali është edhe regjistrimi si punëkërkues pranë Ministrisë së Punës në vendin tonë. Marrëveshja e Bashkëpunimi me Republikën Italiane në fushën e migrimit parashikon krijimin e hapësirave të punësimit të ligjshëm në shtetin fqinj. Kështu, sipas kësaj marrëveshje, parashikohet hartimi i listave të punëtorëve kandidatë migrantë shqiptarë, të hartuara nga pala shqiptare, sipas kritereve të vendosura nga ajo italiane. Kjo listë, jo vetëm emërore, por edhe me hollësira të tjera të kandidatit, si arsimimi, kualifikimi, përvoja e punës, niveli i njohjes së gjuhës italiane do ti kalohet palës italiane (Ministrisë së Solidaritetit Social), nga organizmat kompetente shqiptare. Pala italiane merr përsipër shpërndarjen e këtyre listave, duke mundësuar konsultimin e saj nga punëdhënës italianë. Kësisoj punëtorëve kandidatë shqiptarë u jepet një mundësi më shumë për punësimin në Itali, pasi mund të përzgjidhen përmes aftësive të kërkuara, pa bërë të domosdoshme njohjen paraprake personale, apo me rekomandim të kandidatit, nga të afërm, apo të njohur, siç funksionon aktualisht. Praktikisht kjo përbën edhe një afrim më të mirë dhe më konkret të ofertës me kërkesën; kështu, pala italiane do të japë informacion të hollësishëm mbi ofertat e punës, që vijnë nga punëdhënës italianë, sikurse edhe informacion, që ka të bëjë me legjislacionin italian, lidhur me kushtet e punës, sigurimeve shoqërore, strehimit etj.
Aplikimi
Sistemi i 80 mijë kuotave përcakton numrin maksimal të hyrjeve të lejuara për këtë vit në Itali.
Secili nga të interesuarit për punësimin stinor në Itali duhet te sigurojë individualisht kontratë pune nga një punëdhënës italian.
Kërkesa bëhet nga punëdhënësi me emrin e shtetasit të huaj që do të merret në punë
Ai e zgjedh punëmarrësin me anë të njohjeve, apo rekomandimeve të të njohurve dhe të afërmve
Në Itali numërohen rreth 400 mijë emigrantë që mund t’u rekomandojnë të afërm ose të njohur të tyre punëdhënësve italian.
Punëdhënësi më tej duhet të lidhet me sitin e Ministrisë së Brendshme online duke paraqitur kërkesën e tij
Dekreti për punësimin sezonal
Qeveria italiane i ka hapur dritën jeshile punësimit sezonal të rregullt të shtetasve nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Të drejtën për të aplikuar për një kontratë pune në shtetin fqinj, në mënyrë legale, e gëzojnë edhe të gjithë shqiptarët e interesuar. Janë plot 80 mijë kuota të miratuara përmes dekret flukseve, të cilat janë botuar tashmë në fletoren zyrtare. Shifra 80 mijë përfaqëson kuotën maksimale të lejuar për të gjithë këta shtetas. Duke nisur nga 11 prilli, punëdhënësit që dëshirojnë dhe kanë nevojë për këtë kategori punëtorësh mund të hartojnë kërkesat me emër, që mund të dërgohen, duke filluar nga ora 8:00 e 15 prillit 2009 online në Ministrinë e Brendshme