E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, Politekniku propozon 1335 kuota

 

Pas Universitetit të Tiranës detajon kuotat e pranimit edhe Universiteti Politeknik. Pas rishikimit të ambienteve përkatëse të secilit prej fakulteteve, janë bërë gati propozimet për vitin akademik 2009-2010. Bazuar në përcaktimet e bëra mbi shpërndarjen e kuotave për çdo degë, rezulton se në total ky universitet do të hapë dyert për rreth 1335 studentë të rinj. Ata do të shpallen  fitues pas përllogaritjes së të gjithë komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore. Ndërkaq disa ditë më parë, Universiteti i Tiranës bëri me dije se i ka propozuar Ministrisë së Arsimit plot 7700 kuota të reja për studentët. Do të jetë kjo e fundit që do të hartojë listën përfundimtare për t’ia çuar më pas Këshillit të Ministrave për miratim. Nga sa është bërë me dije nga vetë qeveria, nga viti në vit pritet të rritet numri i studentëve që do të pranohen në shkollat e larta. Sipas të dhënave nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve, formularin A1 ku janë përzgjedhur lëndët me zgjedhje e kanë plotësuar rreth 48 mijë maturantë bashkë me ata të viteve të mëparshme. Pjesa më e madhe e tyre do të aplikojnë për në universitet. Sakaq brenda dy javëve të ardhshme pritet që të shpërndahet pranë shkollave të mesme formulari i listimit të dhjetë preferencave, ku maturantët duan të ndjekin studimet e larta. Plotësimi i formularit A2, në të cilin radhiten preferencat për degët e fakulteteve publike, do të nisë gjatë muajit qershor. Për plotësimin e tyre do të ketë një afat të caktuar kohor prej rreth dy javësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›