Humb fëmija 2 vjeç e gjysmë, luante pranë lumit në Babrru
Zhduket në rrethana të paqarta një fëmijë 2 vjeç e gjashtë muajsh, në periferi të Tiranës. Ngjarja është denoncuar në polici dje në orët e pasdites. Prindërit kanë kërkuar ndihmën e forcave të Rendit, pasi kishin kaluar të paktën dhjetë orë nga momenti i zhdukjes së vogëlushit. Për herë të fundit ai është parë teksa luante në një zonë pranë shtëpisë së familjes së tij, në Babrru të Tiranës. Pas orës 10 të paradites së djeshme, fëmija është zhdukur në rrethana të paqarta. I mituri mësohet se ka qenë duke luajtur me disa bashkëmoshatarë të tij, por gjatë lojës është ndarë nga shokët dhe më pas u ka humbur nga sytë. Ata kanë pritur për disa kohë që i mituri të kthehej dhe pasi kanë humbur shpresat kanë nisur ta kërkojnë në të gjithë zonën pa arritur ta gjenin. Të afërmit gjatë denoncimit në polici kanë sqaruar se fëmija ndodhej pranë Bregut të Lumit, në momentin që u zhduk ndërsa nuk kanë bërë të qartë nëse bëhet fjalë për mbytje, rrëmbim apo largim të vetë fëmijës.
Hetimet e policisë
Menjëherë pas denoncimit të familjarëve, policia është vënë në lëvizje për kërkimin e fëmijës dhe hetimin e rrethanave të zhdukjes së tij. Veprimi i parë hetimor që është kryer ka qenë identifikimi i plotë i të miturit vetëm 2 vjeç e gjashtë muajsh. Ai mësohet se është Islam Hasan Kazanxhiu, fëmijë rom, banues në Babrru. Gjatë denoncimit në polici, të afërmit dhe prindërit e të zhdukurit kanë thënë se i mituri në momentin kur është larguar dhe ka humbur gjurmët, ka qenë i veshur me çizme, një palë tuta dhe një bluzë bojëqielli. Forca të shumta të policisë janë vendosur në zonën ku banon familja rome, e cila denoncoi humbjen e fëmijëve. Disa dëshmitarë janë marrë në pyetje në lidhje me momentet e fundit të fëmijës, përfshi këtu edhe marrjen e deklarimeve nga bashkëmoshatarë të të zhdukurit dhe fëmijë më të mëdhenj në moshë, që kanë qenë duke luajtur kur ndodhi ngjarja. Dje në mbrëmje, forcat e policisë kanë nisur edhe kërkimet në shtratin e lumit dhe më pas në të gjithë zonën, me qëllim lokalizimin dhe gjetjen e të miturit. Fotografitë e tij janë shpërndarë në të gjitha strukturat e policisë së Tiranës, me qëllim identifikimin e fëmijës në rast të konstatimit të tij gjatë kërkimeve që po zhvillohen në kryeqytet. e.d