Flamurtari, ndaj Besës për të harruar eliminimin
Do të luhet ndeshja e fundit e javës së 14 të Kategorisë Superiore. Flamurtari kryesues, tashmë me pikë të barabarta me Skënderbeun, do të luajë në shtëpinë e tij përballë Besës dhe një fitore do të garantojë distancën me 3 pikë nga korçarët. Të shumtë do të jenë tifozët që do të shkojnë për të ndjekur këtë sfidë në këtë sfidë. Momenti nuk është shumë i mirë në radhët e Flamurtarit, pasi kuqezinjtë në mesjavë përjetuan eliminimin e parakohshëm nga Kupa e Shqipërisë, disfatë e pësuar kjo ndaj Bylisit të Ballshit. Gjithashtu, humbja e ndeshjes paraardhëse në kampionat, me Tiranën në “Qemal Stafa”, i ka komplikuar disi ekuilibrat në skuadrën vlonjate, që gjithsesi vijon të kryesojë Superioren me 28 pikë, po aq sa ka tashmë edhe Skënderbeu (pas fitores 1-0 me Shkumbinin). Ndeshja me Besën është një provë karakteri dhe soliditeti për Flamurtarin e Maganit, për të demonstruar para sportdashësve të vet se është me plot të drejtë pretendent kryesor për titull. “Fronti” i vetëm në këtë edicion, ku kuqezinjtë mund të fitojnë diçka, pas largimit të parakohshëm nga Kupa e Shqipërisë. Përballë tyre do të jetë Besa e Kavajës, me një ecuri mjaft negative në këtë kampionat, që mbyll klasifikimin e Superiores, me vetëm 9 pikë. Në krye të verdhezinjve të Kavajës është një trajner vlonjat, Gerti Haxhiu, që do të mundohet ta “ngrejë flamurin” në qytetin e tij të lindjes, duke e ndihmuar Besën të largohet sa më tepër të jetë e mundur nga fundi i ftohtë dhe i rrezikshëm i klasifikimit. Një mision i vështirë në dukje, por, duke parë edhe çka prodhoi e diela e kësaj jave, gjithçka mund të ndodhë. Aq më tepër që topi i futbollit është i rrumbullakët dhe surprizat përreth tij janë gjithmonë të pranishme.