E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burokracitë shtyjnë ndërtimin e spitalit kirurgjik

02/07/2009  E vërteta e ndërtimit të spitalit kirurgjik në Elbasan pas 8 vjetësh pritjeje

Arben Paralloi: Punimet nisin në shtator dhe të përfundojnë në qershor të 2011

ELBASAN-Kur ishte premtuar së në fillim të qershorit do të nisnin punimet për ndërtimin e spitalit të ri kirurgjik këtë herë me fondet e buxhetit të shtetit, kjo gjë nuk ndodhi. Zv/ministri Ivanaj në një ndalesë në Elbasan tha se fondi i fazës së parë është lëvruar dhe në fund të majit ose në fillim të qershorit do të nisnin punimet. Lidhur me këtë premtim dhe për ndërtimin e spitalit kirurgjik të Elbasanit, drejtori i Qendrës Spitalore Arben Paralloi sqaron se është thjesht çështje procedurash. Ai sqaron se është dashur një adaptim i projektit dhe një punë voluminoze për të mbërritur deri në shpalljen e tenderit ka qenë data 30 qershor. Fondi i miratuar për ndërtimin e spitalit kirurgjik është 50 milionë lekë të reja për fazën e parë, ndërsa ndërtimi total është 2.4 milionë euro. Tenderi do të bëhet i plotë dhe vetëm për vitin 2009 është miratuar faza e parë. Punimet do të zgjasin 24 muaj. Për procedurat ai sqaron hapat që ka marrë drejtoria spitalore deri më sot për të mbërritur në procedurën e tenderimit. “Fondi i miratuar ka qenë i ngrirë dhe është shkrirë në mars të këtij viti për t’u lëvruar për fillimin e punimeve. Duke sqaruar procedurat Paralloi tha se duhej edhe një leje e KRRT-së së Bashkisë, e cila ka bërë një mbledhje speciale për këtë çështje. Ai thotë se të gjitha këto procedura kërkonin kohë dhe në përfundim të tyre tenderi u trasferua në Ministrinë e Shëndetësisë. “Unë si drejtues i Qendrës Spitalore iu drejtova Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ne nuk disponojmë logjistikën e nevojshme për zhvillimin e këtij tenderi. Ne kishim si detyrë të plotësonim dosjen dhe prej dy javësh ajo është depozituar në Ministrisë e Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë ka studiuar dosjen dhe ka përpunuar edhe kriteret e kualifikimit. Sasia e parave është caktuar jo shumë e madhe për shkak të procedurave dhe në vitin 2010 faza e dytë do të jetë 1 milion euro. Spitali i përfunduar do të dorëzohet dy vjet nga fillimi i punimeve dhe mendohet që në verën e 2011 Elbasani të bëhet me godinën e re të spitalit kirurgjik dhe atij obsetrik. Fondi nuk është fond pajisjesh, por vetëm ndërtimi, ndërsa për pajisjet pritet fond tjetër”. Godina e re e spitalit kirurgjik do të përfshijë shërbimet e kirurgjikut dhe të obsetrikut. Godina do të jetë me tri kate. Ndërkohë ajo ekzistuese pritet të përdoret pas një rikonstruksioni për spostimin e poliklinikës së specialiteteve. Kjo do të bëjë të mundur që të gjitha spitalet dhe shërbimet të jenë përqendruar në një vend dhe e rrit efikasitetin e ndihmon mjaft personelin mjekësor dhe qytetarët. Godina aktuale ku është spostuar prej 8 vjetësh kirurgjia do t’i kalojë universitetit. Kushtet mbeten problemi më i madh i kësaj godine edhe pse ka pasur disa përmirësime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›