E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha siguron 71 mandate për qeverinë

02/07/2009  Dritan Prifti: Vota ime do të shkojë për Berishën, nëse do ti duhet

Dritan Prifti, deputet i LSI-së për qarkun e Fierit, e ka deklaruar dje hapur se në rast se rezultati i votimit do të qëndrojë në këto ritme, pra 70 mandate PD-ja dhe aleatët, 66 PS-ja dhe aleatët dhe 4 LSI-ja, atëherë vota e tij do të shkojë për qeverinë e Sali Berishës, kryeministri aktual. Deklaratën e tij deputeti i LSI-së e ka bërë gjatë emisionit “Opininion” në televizionin “Klan”. Prifti tha se smund të pranonte shantazhet dhe tentativën për vjedhjen e votave që Rama ka bërë jo vetëm në Fier, por në gjithë vendin në raport me LSI-në, është e pafalshme. “Vota ime nuk ka për të shkuar për Ramën kryeministër, i cili luftoi për zhdukjen e LSI-së dhe vjedhjen e votave jo vetëm në Fier, por në të gjithë vendin. Në rast se do të vazhdohet me këto raporte, atëherë vota ime do të shkojë për Sali Berishën kryeministër dhe qeverinë e tij”, - u shpreh Prifti.

Duket se deklarata e bërë dje nga zoti Prifti ka zbehur shpresat e socialistëve për një përmbysje të rezultatit, apo një bllokim të zgjedhjes së qeverisë në parlamentin e ri. Deri në orët e para të mëngjesit rezultati nuk ka ndryshuar, ndërkohë që pritet përfundimi i numërimit të votimit në Bushat si dhe zona e Fushëkuqes, ku demokratët shpresojnë shumë të marrin dhe një deputet. Ndërkohë ka dalë Meta dhe është shprehur se deklarata e priftit ka qenë një deklaratë emocionale e tij. Gjithsesi situata do të jetë më e qartë me mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, e përcaktuar në javën e parë të shtatorit. Deri në këtë afat do të jetë numërimi i fletëve të votimit, ankimimet në KQZ apo dhe në Kolegj që do të saktësojnë nëse do të duhet vota e deputetëve të LSI-së apo dhe të ndonjë deputeti tjetër i koalicionit të majtë. Tashmë edhe Vangjel Dule do të shprehet mbi marrëdhëniet e reja në Kuvend, kjo dhe për faktin se kreu i PD ka paralajmëruar dhe zgjerimin e mëtejshëm të koalicionit.

Ruçi

Nga ana e tyre socialistët e kanë pritur jo mirë këtë deklaratë të Priftit dhe skanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë rritur tensionet në Fier, duke bllokuar procesin e numërimit e duke nxjerrë militantët në rrugë për të mbrojtur, sipas tyre, votën, e cila po shkonte të numërohej në KQZ. Ruçi ka shkuar dhe më tej duke bërë thirrje për zbritjen e mbështetësve në terren për të mbrojtur votën dhe kundërshtimin e kalimeve të kutive në KQZ. “I bëj thirrje jo vetëm popullit të Lushnjës, Fierit dhe Patosit, por gjithë qytetarëve që të dalin në shesh të mbrojnë votën”, - është shprehur ai. Një thirrje kjo e cila është komentuar nga të djathtët si destruktive dhe në shkelje të ligjit.

Duket se Fieri do të jetë një debat tejet i fortë, pasi në të si e djathta dhe e majta pretendojnë të marrin një mandat deputeti që do të jetë dhe vendimtar në ndërtimin e qeverisë së re apo dhe smnagien e një krize të qeverisjes dhe garantimit të një mazhorance solide.

PDI

Ndërkohë duket se në Fier po bëhet luftë për një mandat tjetër, që pritet ti kalohet PDI-së (Partia për Drejtësi dhe Integrim” të komunitetit çam. Vetë Tahir Muhedini u shpreh dje se po i mohohet një mandat në Fier, mandat i cili do ta çonte maxhorancën në 71 deputetë, pa llogaritur votën e zotit Prifti. Sipas Muhedinit, e gjithë kjo po bëhet në mënyrë të qëllimtë nga ana e komisionerëve socialistë, të cilët po tentojnë ti vjedhin votat në Patos dhe dy qendra të Fierit. Nga ana tjetër, Muhedini hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi apo bashkim votash me të majtën, duke shuar kështu fjalët që kishin dalë për një kalim të çamëve majtas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›