E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana mbulohet e gjitha nga uji

02/07/2009  Evakuohen banorët, regjistrohen dëme të mëdha ekonomike

TIRANE- Kryeqyteti shqiptar është përmbytur nga reshjet e shumta që ranë dje për rreth 1 orë e 30 minuta. Zonat të cilat u përmbytën plotësisht nga uji që vërshoi në rrugët e Tiranës ishin, Qendra, zona e Komunës së Parisit, zona e Frigoriferit që ndodhet në rrugën “Karl Gega”, zona tek bregu i lumit e disa të tjera. Nga vëzhgimi në teren është vënë re se gjendja tepër kaotike e krijuar nga shiu i madh, ka qenë në parkingun që ndodhet tek “7 xhuxhat”, ku rreth 50 makina që ndodheshin aty janë mbushur plotësisht me ujë. Madje nga sasia e madhe e ujit, një pjesë të automjeteve kishin filluar të lundronin në sipërfaqen e pellgut të krijuar në parking. E njëjta skenë ka qenë edhe në zonën e Frigoriferit, ku automjete të shumta janë mbushur me ujë si dhe rrugët e kësaj zone janë dëmtuar ndjeshëm nga gërryerja e ujit që vërshoi masivisht mbi to. Ndërkohë që banesa të shumta janë përmbytur tek bregu i lumit, banorëve të së cilëve u ka kushtuar mjaft dëme materiale. Lidhur me situatën e rëndë menjëherë kanë reaguar forcat e repartit të zjarrfikëseve, të cilët për të normalizuar situatën në zonat më problematike kanë instaluar pompa uji. Gjithashtu punonjësit e këtij reparti kanë mundur të hyjnë në disa banesa, në të cilat kanë evakuar qytetarët nga rreziku. Shumë, dyqane, lokale dhe parkingje janë mbushur plotësisht me ujë, çka ka sjellë edhe një dëm financiar tepër të madh për këto biznese. Ndërkohë që specialistët e punëve publike pranë Bashkisë së Tiranës janë shprehur për situatën se fajin në këtë rast e kanë pasur kolektorët e shkarkimit, të cilët sipas tyre nuk kanë funksionuar. Ata thanë se situata kaotike nuk ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›