Raporti: Shqipëria s’ka progres
ADI SHKEMBI
Shqipëria nuk ka bërë progres në asnjë prej shtatë fushave të vëzhguara nga "Freedom House". Kjo organizatë, e cila vëzhgon lirinë në vende të ndryshme të Botës dhe monitoron demokracinë e të drejtat e njeriut ka publikuar dje një raport "Vendet në Tranzicion 2010", në të cilin vlerësohet progresi i bërë në 29 shtete të Europës Qendrore dhe Euroazisë. Në raport është përdorur një sistem pikësh nga 1 deri në 7, ku 1 është vlerësimi më i mirë dhe 7 më i keqi.
Raporti
Përsa i përket demokracisë në qeverisjen kombëtare, në raport thuhet se Qeveria e re e krijuar nga zgjedhjet e 28 qershorit është angazhuar për integrimin europian të vendit. Por sipas "Freedom House" bojkoti i PS në Parlament ka penguar shumë funksionimin e tij dhe deri në fund të vitit partitë nuk kanë arritur asnjë konsensus politik për të zgjidhur ngërçin e krijuar në institucionet shtetërore. Në sajë të bojkotit të PS në Kuvend qeverisja ka rënë në pikë nga 4.25 në 4.50". Për zgjedhjet e përgjithshme të një viti më parë kjo organizatë i referohet raportit të OSBE- ODIHR, i cili monitoroi nga afër procesin. "Freedom House" shkruan se zgjedhjet u bënë në një atmosferë shumë të polarizuar politike dhe nuk pati incidente të mëdha në zgjedhje, por procesi i numërimit të votave ishte i diskutueshëm dhe pas tij kishte ankesa ligjore. "Ndërsa u plotësuan shumë nga standardet e OSBE zgjedhjet e qershorit 2009 nuk i përmbushën plotësisht potencialet e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta demokratike edhe pse u konsideruan zgjedhjet më të mira që ka mbajtur Shqipëria deri tani dhe u njohën nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë. Procesi elektoral në Shqipëri mbetet në 3.75". Përsa i përket qeverisjes lokale raporti vlerëson se polarizimi i jetës politike në nivelet qendrore të qeverisjes ka pasur një ndikim negativ në punën e këshillave bashkiakë. Procesi i decentralizimit akoma vazhdon i dëmtuar nga shkurtimet e buxheteve lokale. "Për shkak të shkurtimeve të të ardhurave të qeverisjes lokale si dhe bojkotit të opozitës, për shkak të ngërçit të zgjedhjeve, qeverisja lokale është përkeqësuar në renditje nga 2.75 në 3", thekson "Freedom House". Korrupsioni, sipas raportit vazhdon të mbetet një fenomen shumë i përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shumë shërbime të ndryshme publike mbetet i lartë. Ndërsa për gjyqësorin theksohet se "Qeveria vazhdon të ndërmarrë veprime për të intimiduar gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa në gjykatë trajtohen çështje delikate politike".
Pritshmëria për vitin 2010
"Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE do të konsiderohet në vitin 2010 dhe përgjigja pritet në fund të vitit. Ndërkohë, ndërsa afron hapat e saj drejt anëtarësimit në BE duket se vendi do të përfitojë nga regjimi i liberalizimit të vizave në zonën Schengren brenda 2010. Më shumë se gjysma e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të përfundojnë mandatet e tyre dhe zëvendësimi është i një rëndësie të veçantë sepse Gjykata Kushtetuese luan një rol thelbësor në rritje mbi funksionimin e institucioneve themelore dhe ruajtjen e të drejtave kushtetuese", thuhet në raport.
Pavarësia e gjyqësorit
"Konferenca kombëtare e gjyqësorit nuk arriti të mblidhej për të zëvendësuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mandati i të cilëve kishte përfunduar sepse dy forcat e mëdha politike nuk arritën konsensusin mbi miratimin e ligjit të Konferencës gjyqësore. Vonesat dhe funksionimi i keq i sistemit të drejtësisë u vunë re gjatë gjithë vitit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në proces rritjeje të numrit të anëtarëve në gjykatat më të mëdha rajonale për të zgjidhur punën e prapambetur në çështjet ligjore. Sistemi gjyqësor në Shqipëri mbetet i pandryshuar në 4.25".
Raporti i “Freedom House”
Vlerësimi
Fusha 2009 2010
Zgjedhjet 3.75 3.75
Shoqëria civile 3.00 3.00
Liria e medias 3.75 4.00
Qeverisja qendrore 4.25 4.50
Qeverisja lokale 2.75 3.00
Pavar. e gjyqësorit 4.25 4.25
Korrupsioni 5.00 5.00
Pikët e demokracisë 3.82 3.93
Qeverisja Kombëtare
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 kanë sjellë një koalicion partish nga e majta dhe e djathta në fuqi. Megjithatë bojkoti i PS në Parlament ka penguar shumë funksionimin e tij dhe deri në fund të vitit partitë nuk kanë arritur asnjë konsensus politik për të zgjidhur ngërçin e krijuar në institucionet shtetërore. Në sajë të bojkotit të PS në Kuvend qeverisja ka rënë në pikë nga 4.25 në 4.50.
Zgjedhjet
Zgjedhjet u bënë në një atmosferë shumë të polarizuar politike. Nuk pati incidente të mëdha në zgjedhje, por procesi i numërimit të votave ishte i diskutueshëm dhe pas tij kishte ankesa ligjore. Ndërsa u plotësuan shumë nga standardet e OSBE zgjedhjet e qershorit 2009 nuk i përmbushën plotësisht potencialet e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta demokratike edhe pse u konsideruan zgjedhjet më të mira që ka mbajtur Shqipëria deri tani dhe u njohën nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë.
Qeverisja lokale
Polarizimi i jetës politike në nivelet qendrore të qeverisjes ka pasur një ndikim negativ në punën e këshillave bashkiakë. Procesi i decentralizimit akoma vazhdon i dëmtuar nga shkurtimet e buxheteve lokale. Për shkak të shkurtimeve të të ardhurave të qeverisjes lokale si dhe bojkotit të opozitës, për shkak të ngërçit të zgjedhjeve, qeverisja lokale është përkeqësuar në renditje nga 2.75 në 3.
Struktura dhe pavarësia e gjyqësorit
Sistemi i gjyqësorit në Shqipëri nuk është plotësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon strategjia e përgjithshme për reformën në gjyqësor. Qeveria vazhdon të ndërmarrë veprime për të intimiduar gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa në gjykatë trajtohen çështje delikate politike.
Korrupsioni
Korrupsioni vazhdon të mbetet një fenomen shumë i përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shumë shërbime të ndryshme publike mbetet i lartë. Përpjekjet e Qeverisë për të luftuar korrupsionin kanë ngelur në fazën e strategjive ose aplikohen në mënyrë selektive.