E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Gjoba ndaj “Top Channel” për Pangon, absurde e shumë e lartë



TIRANE - Vendimi i Gjykatës së Tiranës për dënimin 400 mijë euro i televizionit 'Top Channel', për skandalin "Pango", është komentuar gjatë ditës së djeshme nga selia qendrore e OSBE. Me anë të një deklarate për shtyp gjoba konsiderohet absurde dhe shumë e madhe. Përfaqësuesja për lirinë e medias në këtë organizëm theksoi dje se roli vëzhgues i medias në një shoqëri demokratike kërkon investigimin dhe raportimi i 'Top Channel' synonte pikërisht këtë. Përfaqësuesja për lirinë e medias në OSBE, Dunja Mijatoviç, i drejtoi një letër ministrit të Jashtëm Ilir Meta dhe atij të Drejtësisë, Bujar Nishani. "Në 18 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi gjobën 400 mijë euro. Gjykata argumentoi se përgjimi ishte ilegal dhe dhunoi të drejtën e Pangos për privatësi. E drejta për privatësinë duhet të balancohet me detyrën e medias për të informuar qytetarët, për zhvillimet për të cilat publiku ka interes", thuhet në letrën Mijatoviç. Më tej ajo pohon se media në rolin e saj vëzhgues në çdo shoqëri të vërtetë demokratike ka edhe gazetarinë investigative, si pjesë të domosdoshme të saj duke përfshirë këtu edhe shqyrtimin e kujdesshëm të sjelljes etike dhe profesionale të zyrtarëve qeveritarë. Sipas saj, raportimi i 'Top Channel', synonte pikërisht këtë, të hidhte dritë mbi sjelljen e një zyrtari publik dhe abuzimin e tij të pretenduar me postin që mbante. f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›