“Ta Nea”: “Bokojanis gati tre skenarë për emrin e Maqedonisë”
Gazeta greke “Ta Nea” ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, ka përpunuar tre skenarë të mundshëm për zhvillimin e ngjarjeve për zgjidhjen e kontekstit mes Athinës dhe Shkupit. Skenari i parë dhe më i mirë për Athinën dhe Shkupin, shkruan kjo gazetë, është që të dy vendet të vijnë deri te zgjidhja e problemit për emrin e Maqedonisë para takimit të kreut të NATO-s në Bukuresht më 2 prill. Në këtë mënyrë siguria e Maqedonisë do të ishte e garantuar, ndërsa investuesit grekë do të ndërprisnin alarmimin dhe vendi i tyre të fitonte mundësi më të mëdha për një rol udhëheqës në Ballkan. “Skenari i dytë i mundshëm, - shkruan gazeta, - parashikon që Shkupi të qëndrojë në papajtueshmërinë e tij dhe të mos heqë dorë nga pozicionet, gjë që nuk përjashtohet si mundësi”. Gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve, takimi i kreut të NATO-s në Bukuresht mund të konfirmojë se nuk e ka konsensusin e domosdoshëm, që t’i dërgohet ftesë Maqedonisë për anëtarësim në Aleancë. “Në NATO do të hyjnë Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Maqedonia do të mbetet jashtë Aleancës Veri-atlantike”, - vlerëson gazeta dhe shton se “është tejet e sigurt se kjo do të shkaktojë tensione dhe dallime brenda në Maqedoni. Po kështu, kjo situatë do të vijojë deri në zgjedhje, ndërsa mund të ketë edhe pasoja negative ndaj Kosovës”. Ndërsa skenari i tretë parashikon që nëse nuk zgjidhet problemi rreth emrit deri në takimin në Bukuresht, Uashingtoni do të bëjë presion ndaj Greqisë që ta pranojë dërgimin e “ftesës me kusht të caktuar”. “Ky kusht do të ekspozohet në dokument adekuat të Aleancës, ku do të konfirmohet se procedura për anëtarësim në NATO nuk do të lëvizë përpara nëse Maqedonia nuk e zgjidh problemin me Greqinë në afat konkret”, - shkruan gazeta. Uashingtoni vlerëson se në këtë mënyrë nuk do të eksponohet në rrezik siguria për Maqedoninë dhe se në këtë mënyrë ajo do të jetë e garantuar.
11 Mars 2008