Burrë e grua gjenden të vdekur në banesë
VETËVRASJA/ Bledar dhe Arjeta Bilali janë gjetur të vdekur në banesën ku jetonin me qira prej 8 muajsh
BULQIZË - "Gruaja qëlloi dy herë mbi bashkëshortin dhe më pas futi pistoletën në gojë dhe qëlloi veten". Kjo është dëshmia e dhënë nga Olsi Muja, i afërm i Bledar Balilit, i cili u gjet i vdekur mëngjesin e së enjtes në banesën e tij së bashku me të shoqen.
Tragjedia e ndodhur deri në orët e vona të mbrëmjes kishte tri versione, të cilat ballafaqonin veç dëshmisë së Mujës, edhe dëshmi të fqinjëve të viktimave, të cilët banonin në një ndërtesë të përbashkët në lagjen më të varfër të Bulqizës, e quajtur lagjja "Minatori".
Ngjarja
Gjithçka mësohet të ketë ndodhur mëngjesin e së dielës. Tre krisma armësh janë dëgjuar, ndërsa dy të martuarit, burrë e grua në moshë fare të re, janë gjendur të vdekur, por ende nuk bëhen të ditura shkaqet e sakta të kësaj ngjarje të rëndë.
Bledar Bilali, 25 vjeç, dhe gruaja e tij e re Arjeta Bilali, 20 vjeçe, janë gjendur të vrarë në banesën e tyre, një ndërtesë e përbashkët e afro 20 familjeve në lagjen më të varfër të Bulqizës, e quajtur lagjia "Minatori".
Janë shumë enigmatike qoftë të dhënat e policisë, por dhe rrëfimet e dëshmitarëve, pasi thuhet se janë dëgjuar krisma edhe në mbrëmje, ndërkohë ky version konsiderohet me bazë, pasi në momentin e hyrjes së ekspertëve kriminalistë ka pasur erë të rëndë kundërmuese në banesën e viktimave.
Hetimet
Deri më tani askush nuk i ka bërë të ditura shkaqet e vërteta të kësaj vrasjeje të dyfishtë, ndërsa në kohën që policia e Bulqizës dhe ekspertë të kriminalistikës nga drejtoria e qarkut dhe Ministria e Brendshme, bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes, aty janë gjendur dhe dy armë, një automatik dhe një pistoletë.
Pas këqyrjes së viktimave është arritur në përfundimin se vdekja e Bledar Bilalit ka ardhur si pasojë e dy plumbave që ka marrë në kokë, ndërsa bashkëshortja e tij, Arjeta, ka marrë një plumb në gojë, çka i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Vrasja e dyfishtë përfshin misterin në vetvete, pasi sipas banorëve të atyshëm ata ishin një çift që shkonin shumë mire. Një prej tyre madje thoshte se gjithë ditën e ditës i shihnin "me duar në qafë të njëri-tjetrit". Edhe me banorët aty silleshin shumë mirë. Mësohet se të dy bashkëshortët kishin ardhur nga Shkodra 8 muaj më parë dhe që atëherë jetonin në Bulqizë.
Pistat
Duke gjykuar mbi ngjarjen e rëndë, policia ka ngritur disa pista. E para lidhet me faktin e dëshmuar nga një dëshmitar i pyetur në polici se më parë Arjeta Bilali mund të ketë vrarë bashkëshortin dhe më pas veten e saj, pasi aty janë gjendur dhe armët me të cilat ata janë qëlluar.
Por nga ana tjetër, po hetohet edhe lidhur me faktin nëse ka qenë një vrasje për gjakmarrje për shkak se çifti mësohet se është zhvendosur nga Shkodra për në Bulqizë pikërisht për faktin se familja e tyre ishte në gjak.
Së fundmi, nisur nga fakti që dera është gjetur e hapur, dyshohet se do të ketë qenë ndonjë person që mund të ketë hyrë për të plaçkitur këtë familje, pasi Bledari merrej me biznesin e kromit.
25-vjeçari iu mblidhte kromin banorëve që punonin tek stoku dhe një ditë më parë ai u kishte shlyer atyre dhe pagesat përkatëse. Gjithsesi, policia ende nuk ka të shënjuar saktësisht cila nga këto pista është më afër të vërtetës.
Fqinjët
Banesa ku jetonte çifti Bilali ishte një ndërtesë ku jetonin rreth 20 familje, në lagjen "Minatori" të Bulqizës. Fqinjë të tyre shprehen se çifti jetonte me punën në stokun e kromit, pasi Bledi Bilali ua mblidhte kromin e nxjerrë banorëve prej aty dhe e shiste për të përballuar jetesën.
Edhe banesa ku ata u gjetën të vrarë gjendet fare afër këtij stoku.
Por familja Bilali, sipas fqinjëve, nuk kishte probleme me askënd aty dhe silleshin shumë mirë me të gjithë.
"Ata madje dilnin krah për krah, sa herë që lëviznin", shprehet një nga banoret, duke deklaruar kështu se marrëdhëniet mes çiftit ishin shumë të mira. Ajo më tej vijon se fakti që e kanë gjetur derën e tyre hapur i bën të dyshojnë se dikush është futur për t'i vrarë, pasi ata nuk rrinin kurrë me derën e hapur.
Dëshmitari okular
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë të ditur se në pyetje është marrë edhe një "dëshmitar okular", i afërm i çiftit Bilali. Në deklarimet që ai ka dhënë në polici, Olsi Muja, banor i qytetit të Shkodrës, është shprehur se të shtunën në darkë ka fjetur mbrëmë tek banesa e marrë me qira nga çifti Bilali.
Pyetjeve të oficerëve të policisë gjyqësore ai i është përgjigjur me rrëfimin: "Isha në shtëpinë ku banonte Bledari dhe Arjeta. Kam qëndruar me ta deri në mbrëmje vonë. Deri në orën 01:00 të mëngjesit ishim zgjuar unë, Bledari dhe gruaja e tij, Arjeta.
Më pas Arjeta shkoi të shtrihej për të fjetur, ndërsa unë dhe Bledari vazhduam të shihnim televizor dhe të pinim për qejf. Kemi qëndruar zgjuar deri rreth orës 04:00 të mëngjesit.
Në këtë kohë kemi rënë të flemë. Ishte ora rreth 8:30 e mëngjesit kur kam dëgjuar krisma dhe jam çuar i trembur nga gjumi. Në këtë kohë kam parë Arjetën e cila kishte një pistoletë në dorë me të cilën kishte qëlluar mbi Bledarin.
I kam thirrur me të madhe: "Çfarë bëre", por në atë moment ajo e futi tytën e pistoletës në gojë dhe e shkrepi duke i dhënë fund jetës". Kjo ka qenë edhe dëshmia e dhënë për disa orë nga ana e dëshmitarit okular, ndërsa ende nga hetuesit nuk është dhënë një motiv lidhur me ngjarjen e ndodhur.