Kapen maskat, tentuan të vidhnin dyqanin e floririt
KURBIN Arrestohen tre të rinj, të cilët tentuan me armë dhe maska të grabisnin dyqanin e floririt. Policia e Kurbinit zbardh tentativën e grabitjes së dyqanit të floririt në qytetin e Mamurrasit të rrethit të Kurbinit, të ndodhur katër ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, mësohet se pas hetimeve intensive dhe përdorimit të metodave speciale është bërë i mundur arrestimi i 23-vjeçarit Vinçesk Piroli, nga fshati Zheje i rrethit Kurbin, 18-vjeçarit Nikolin Mjershaj, me banim në Shkodër, si dhe 19-vjeçarin Krisjan Shkëmbi, me banim ne lagjen “Skënderbeg” të qytetit Shkodër. Arrestimi i tyre është bërë për arsye se të tre të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se me datën 12.07.2011 kanë tentuar të vjedhin me armë një dyqan argjendarie në qytetin e Mamurrasit të rrethit Kurbin, në pronësi të Hatixhe Ajazit me banim po në qytetin e Mamurrasit. Sipas policisë, Vinçesk Piroli ka qëndruan në një makinë tip benz me xhama të zinj dhe çorape në kokë, ndërsa Nikolin Mjershaj dhe Krisjan Shkëmbi, gjithashtu të maskuar me çorape në kokë dhe me të pasur me pistoleta, kanë hyrë në dyqanin e Hatixhe Ajazit, duke qëlluar në tavanin e lokalit dhe kërcënuar pronarin se do ta qëllonin nëse ajo lëvizte. Ndërkohë që kanë tentuar të thyejnë edhe xhamat e banakut ku ishte vendosur floriri, por hapja e derës nga bashkëshorti i pronares së dyqanit, ka bërë që dy të rinjtë të largoheshin me shpejtësi nga lokali dhe të futeshin në makinë. Gjatë operacionit për arrestimin tyre, policia e Kurbinit sekuestroi edhe provat materiale që të rinjtë kanë përdorur për të kryer grabitjen, si një autoveturë e markës benz me targa SH 0625 E, që është përdorur nga tre grabitësit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, dy palë doreza, si dhe një bluzë e cila është përdorur si maskë nga autorët në momentin e tentativës së grabitjes. Pas hetimeve policia e Krubinit ka ngritur akuzën për veprat penale të “Vjedhjes me armë, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentative” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 140, 22, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.