E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pensioneve, ISSH-ja zbardh skemën për marrjen e shtesës



Jonida Tashi

Rreth 53 mijë pensionistët në vend, do të mund ta tërheqin masën e ndryshuar të pensionit të tyre, në datën e marrjes së tij. Burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) sqarojnë se shtesa i vihet automatikisht pensionit, ndërsa shpërndarja e saj do të bëhet në kohën e pensionit. Por përveç përcaktimit të skemës së marrjes së shtesës të pensionit, specialistët e ISSH-së shpjegojnë se skema e rritjes së pagave dhe pensioneve pritet që ti nënshtrohet sërish ndryshimeve. Menjëherë pas mbërritjes së udhëzimit të Ministrisë së Financave, specialistët e ISSH-së, do të nisin llogaritjen e rritjes së premtuar nga qeveria. Kjo do të thotë se rritja e pensioneve do të vijojë të jetë nga 10-20 për qind, por brenda këtyre dy kufijve do të ketë disa kategorizime të tjera.
Tërheqja e shtesës
Duke qenë se llogaritja e rritjes së re të pensioneve që u përcaktua nga qeveria nuk ka nisur ende nga specialistët, jo të gjithë pensionistët do të mundin ta marrin atë brenda këtij muaji. Për këtë, specialistët e ISSH-së sqarojnë se pensionistët, të cilët, për arsye të kalimit të datës së tërheqjes së pensionit, nuk do ta marrin shtesën e pensioneve gjatë muajit maj, do ta përfitojnë atë datën e ardhshme të pensionit, që i përket muajit qershor. Pas përfundimit të llogaritjes së shtesës, çdo pensionist do të mund të marrë në datën e tij të pensionit, masën e re të pagesës. Kjo do të thotë se pensionistët nuk humbasin të drejtat e tyre financiare edhe nëse këto shtesa i marrin në muajin qershor, pra efektet do të fillojnë që nga data 1 maj. Çdo pensionist gjatë muajit qershor do të marrë dhe shtesën e prapambetur të pensioneve, në bazë të vendimit të qeverisë, në të cilin thuhet se rritja e pensioneve do të ketë efektet e saj duke filluar që nga data 1 maj. Sipas specialistëve të ISSH-së, pensionistët duhet të jenë të sigurt se në datën që do të paraqiten pranë arkave paguese do të marrin pensionin e rritur. Kështu në datën 1 maj, në këto arka pritet të jenë dërguar urdhër-pagesat e reja, në të cilat është shënuar edhe masa e rritur e pensionit.
Pensionet e reja
Përfitues nga rritja e pensioneve të akorduar nga qeveria do të jenë edhe të gjitha ata pensionistë, që e ligjërojnë të drejtën për pension duke filluar nga data 1 maj. Sipas vendimit të qeverisë, rritjen, sipas përcaktimeve të veçanta, do ta përfitojnë edhe pensionet të cilat caktohen nga data 1.5.2009 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit apo trajtimit, të jetë deri më 30.4.2009, përfshirë edhe këtë datë. Sakaq, qeveria ka vendosur edhe kufijtë minimalë dhe maksimalë që do të kenë pensionet e caktuara duke nisur nga data 1 maj 2009. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të këtij ligji, që kanë datë fillimi nga 1.5.2009 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 10 276 lekë në muaj dhe më shumë se 20 552 lekë në muaj. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.5.2009 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 6 240 lekë në muaj.

Sa rriten pensionet në qytet

Sipas skemës së re të rritjes, pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 951 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 12 226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por, këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe si pasojë të ardhurat mujore kapin nivelin e 21433 lekësh. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Specialistët e ISSH-së sqarojnë se të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së re të pensionit do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë.

Sa rriten pensionet në fshat

Pensionistët e fshatit do të jenë më të privilegjuar nga rritja e fundit e pensioneve. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 20 për qind. Kjo shifër e përkthyer në vlerë monetare do të thotë një rritje prej 1040 lekësh në muaj duke filluar nga muaji maj. Kështu, pas kësaj rritjeje pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 6240 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 6240 lekë në 7130 lekë në muaj. Sipas ekspertëve të ISSH-së, rritja e pensioneve është bërë për të minimizuar efektet negative nga rritja e çmimeve. Sipas specialistëve të pensioneve, këto rritje kanë si qëllim që ta bëjnë sa më tërheqëse skemën e sigurimeve shoqërore si dhe të shtojnë sa më shumë të ardhurat mujore të pensionistëve. Aktualisht, pensioni i plotë minimal i pleqërisë është 9515 lekë në muaj. Ndërkohë që pensioni maksimal në qytet kapërcen dyfishin e pensionit bazë, pra jo më shumë se 19030 në muaj.

Pensionet që rriten në masën 8 për qind
Pensionet e plota, të pjesshme dhe të parakohshme, të pleqërisë, pensionet për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas Ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
Pensionet e posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara në përputhje me Ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
Shtesa mujore, e përfituar në përputhje me vendimin nr.326, datë 21.6.1993 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
Pensionet e caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994 të Presidentit “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”, miratuar me ligjin nr.7799, datë 24.2.1994;
Shtesat mbi pension, të dhëna në përputhje me nenet 33 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Pensionet që rriten në masën 10 për qind
Pensionet e plota, të pjesshme dhe të reduktuara të invaliditetit dhe pensioneve familjare, të caktuara sipas Ligjit nr.4171, datë 3.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Rriten në masën 10 për qind shtesat mbi pension, të dhëna në përputhje me nenet 38 e 39 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me nenin 24 të ligjit nr. 4171, datë 13.6.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

Pensionet që rriten në masën 20 për qind
Pensionet e plota dhe të pjesshme, të pleqërisë, të pensioneve të invaliditetit, dhe pensioneve familjare, të caktuara në përputhje me Ligjin nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
Pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›