E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, bllokohen dy celularë të rinj në qelinë e Zani Çaushit



BURREL - Bllokohen dy celularë në qelinë e Zani çaushit. Pas kontrolleve të befasishme të ushtruara në qelinë e tij, efektivë të policisë së sigurisë i gjetën "të fortit të çoles" aparatet e telefonit. Megjithëse ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 13:30, pak minuta pas takimit të tij special me gruan, lajmi është mbajtur sekret nga drejtoria e burgut dhe prokuroria e Matit, që heton ngjarjet në burgun e sigurisë. Burime të brendshme pohuan se rojet e sigurisë janë përpjekur të mbajnë nën vëzhgim bashkëshorten e tij gjatë hyrjeve për takime speciale, por deri të mërkurën nuk kishin konstatuar se ajo dërgonte sende të ndaluara në qelinë e bashkëshortit. "Në orët e mëngjesit është paraqitur tek porta kryesore e burgut për takim, e shoqja e çaushit. Në dorë mbante sende të ndryshme, ushqime, veshëmbathje, pije freskuese, etj. është kontrolluar me imtësi dhe është lejuar të takohet me Zanin", - thanë burime zyrtare. Pas mbarimit të takimit, kur ajo është ndodhur në mjediset burgut, forcat e sigurisë, të urdhëruara nga nëndrejtori i këtij burgu, Besnik Muharremi, kanë ushtruar një kontroll të beftë dhe të imtë, në qelinë e Zani çaushit, në sektorin ku janë izoluar të dënuarit me dënime të larta. Kjo ngjarje konfirmohet nga burime të prokurorisë së Burrelit. "Në qelinë e Zani çaushit janë gjetur nga rojet e sigurisë dy celularë të rinj, të papërdorur. Ne po hetojmë kush janë autorët e dërgimit të tyre në këtë qeli, bashkëshortja apo persona të tjerë brenda e jashtë këtij institucioni”, pohohet nga prokuroria. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›