E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertizë armëve për vrasjen e 16- vjeçarit



LEZHE - Prokuroria e Krimeve të Rënda bllokoi armët e të gjithë punonjësve të policisë, emrat e të cilëve ndodheshin në listën operacionale për arrestimin e Ardit Skandajt. Në përpjekje për arrestimin e tij mbeti i vrarë i vëllai, Armand Skandaj. 16- vjeçari u qëllua me plumba, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit të shokëve, që gjendeshin në të njëjtën makinë me të dhe policinë e Lezhës. Burime nga prokuroria e Lezhës bënë të ditur se prokurorë të Krimeve të Rënda kanë ardhur dy ditë më parë dhe kanë bërë bllokimin e të gjitha armëve të efektivëve, që kanë qenë ditën e vrasjes në vendin e ngjarjes. Armët janë dërguar në Institutin e Kriminalistikës në Tiranë, të cilat do të kalojnë në ekspertizën përkatëse, nga ku do të verifikohet nëse adoleshenti është vrarë nga armët e policisë apo e të rinjve që kanë qenë bashkë me të në mjetin, që po ndiqej nga blutë. Prokurorët e Krimeve të Rënda e morën për hetim dosjen, pasi çështja është mjaft delikate duke pasur parasysh se adoleshenti dyshohet të jetë ekzekutuar nga vetë forcat e rendit. Pas vrasjes së 16-vjeçarit, qytetarët e Lezhës u ngritën në protestë duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Ata akuzuan policinë për vrasjen e një të pafajshmi, ndërsa kërkuan vënien para përgjegjësisë të autorit. Dje, pritej të merrej masa e sigurisë për vëllain e të vrarit, Ardit Skandaj, por gjykata e Lezhës e shtyu vlerësimin e masës edhe për 24 orë të tjera. I riu pritet të dalë sot para togave të zeza. Ai akuzohet si një nga pjesëmarrësit në grabitjen e 20 mijë dollarëve të tri shtetasve malazezë. Po sot pritet të dalin në gjykatë për masën e sigurisë edhe gjashtë të arrestuarit, të cilët u akuzuan për protestën e paligjshme, e cila u organizua në Lezhë pas vrasjes së adoleshentit. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›